Asambleja 88 e Interpolit, Veliu: Policia e Shtetit merr mbështetje
Në Santiago të Kilit po zhvillohet Asambleja e 88 e Përgjithshme e Interpolit, në të cilën po merr pjese një delegacion i Policisë Shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Gjatë Asamblesë, Veliu zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme, në interest të forcimit të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Kryepolici zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stock, i cili u rizgjodh gjatë kësaj asambleje për një tjetër mandat 5 vjeçar. Stock gjatë takimit me Veliun deklaroi se ishte në dijeni mbi punën e mirë të Policisë Shqiptare dhe vlerësoi përpjekjet e bëra nga ana e Drejtor Veliut dhe rezultatet e arritura nga ana e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Stock u shpreh se Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të organizatës së Interpolit në këtë luftë. Në kuadër të bashkëpunimit shumë të mirë midis Policisë shqiptare dhe Interpol, si dhe rritjes së përkrahjes që Interpol dëshiron të japë për Policinë shqiptare, Stock shprehu dëshirën të vizitojë Shqipërinë në fillim të vitit tjetër. Gjatë pjesëmarrjes në këtë asamble delegacioni shqiptar pati takime me shumë delegacione, ndër të cilat me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, njëkohësisht edhe Drejtor i Policisë Kriminale, Drejtoreshën e Përgjithshme të Policisë Sllovene, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Çeke, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Maqedonisë së Veriut dhe Zv.Ministrin e Brendshëm të Turqisë.
Në të gjitha takimet është vlerësuar bashkëpunimi dhe besueshmëria që tashmë Policia e Shtetit gëzon tek partnerët dhe kjo konfirmohet me operacionet e shumta të zhvilluara kohët e fundit me partnerët, për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Veliu edhe njëherë ka shprehur gatishmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin dhe shprehu bindjen e palëkundur se vetëm duke bashkëpunuar mund të arrijmë rezultatet e dëshiruara në të mirë të vendeve tona.