Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, nën kujdesin e Artur Metanit
Në Tiranë u mbajt për herë të parë Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), nën kujdesin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që është anëtar i këtij Rrjeti, me pjesëmarrjen e delegacioneve të inspektorateve të Drejtësisë të Rumanisë, e cila ka presidencën e RESIJ, të Francës, Italisë, Belgjikës, Bullgarisë, Spanjës e Portugalisë. Në fjalën përshëndetëse, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani falenderoi kolegët e vendeve të Bashkimit Evropian, që vendosën pranimin e ILD-së në RESIJ, si anëtar me të drejta të plota.
“Vendimmarrjen tuaj për të anëtarësuar institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë në RESIJ, e shikoj para së gjithash si një vlerësim për angazhimin e deritanishëm të institucionit të ILD të Republikës së Shqipërisë në këtë Rrjet. Nga ana tjetër, anëtarësimin e ILD-së në RESIJ e shikoj edhe si një konfirmim të vullnetit dhe bashkëpunimit tonë të përbashkët”, tha Metani.
Duke iu referuar projekteve të ardhshme të RESIJ, me ndryshimet në statutin e kësaj organizate, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vërejti se “Sot RESIJ “fiton” një personalitet të ri juridik. Personalisht vlerësoj se tashmë RESIJ kërkon një vëmendje të veçantë. Aktualisht qasja jonë ndaj aktiviteteve të tij kërkon një kujdes të shtuar dhe më shumë angazhim. Për çdo organizëm të këtij lloji, zhvillimi dhe rritja e tij përpara, përveçse bashkëpunimit, veprimit apo energjisë, kërkon mbi të gjitha një mision, kërkon një planifikim në nivel strategjik duke përcaktuar prioritete të qarta, si dhe një qasje sa më gjithëpërfshirëse nga të gjithë ne për arritjen e qëllimeve të tij.”
Në fjalën e saj, Presidentja e RESIJ, shefja e Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, Roxana Ioana Petcu u shpreh se “E vlerësoj shumë angazhimin e Shqipërisë në veprimtarinë e Rrjetit dhe organizimi i sotëm na dëshmon për mënyrën e patëmetë dhe të përgjegjshme, me të cilën Inspektori i lartë i Drejtësisë i Shqipërisë e kupton kontributin e tij brenda Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë”.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, anëtarët miratuan ndryshimet finale në Statutin e Rrjetit, si dhe diskutuan mbi projektet e ardhshme të RESIJ, si dhe propozuan dinamizimin e Rrjetit përmes shkëmbimit të inspektorëve, ndarjes së eksperiencës metodologjike të inspektimit dhe angazhimin në sfidat e përbashkëta si pavarësia e magjistratëve dhe pritshmëria e publikut nga sistemi i drejtësisë.
RESIJ, Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë është krijuar në Paris, në Mars 2017, si një iniciativë e Francës, në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Evropës (CEPEJ) dhe përfaqësuesve nga Belgjika, Republika Çeke, Franca, Italia, Lituania, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Britania e Madhe.
Në Dhjetor 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë (ILD) u pranua me statusin e vendit vëzhgues në gjirin e këtij Rrjeti, që përbëhej nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Rumania. Prej 19 Tetorit 2023, anëtarët e Rrjetit vendosën të pranonin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, si anëtar me të drejta të plota.