Asambleja e SEECP-së në Tiranë, Meta: Bashkëpunim rajonal kundër terrorizmit

Asambleja Parlamentare e SEECP-së ka nisur sot punimet në Tiranë, ku kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e presidentit të Asamblesë, u shpreh në fjalën e hapjes së duhet bashkëpunim rajonal në luftën kundër terrorizmit.

“Duhet të jemi të qartë që nuk mund të ketë rritje ekonomike e as mirëqënie reale nëse nuk punojmë për avancimin e proceseve demokratizuese dhe forcimin e institucioneve në vendet tona. Parlamentet kanë një rol të rëndësishëm për të ruajtur përmes harmonizimit të mëtejshëm të kuadrit legjislativ, në përputhje me ato të BE. Lufta kundër krimit të organizuar, sundimi i ligjit dhe avancimi i prespektivës evropiane i shërbejnë kushteve më të mira të biznesit. Ndaj besoj se jemi të gjithë dakord se funksionimi dhe forcimi i Asamblesë Parlamentare duhet të jetë prioritet për të gjitha parlamentet tona. Kuvendi i Shqipërisë mbetet i përkushtuar dhe do të vazhdojë angazhimin e tij për zgjidhjen e çështjeve imediate rajonale”, deklaroi Meta.

Kryeparlamentari Meta shtoi se puna e këtij procesi integrues duhet të përqendrohet në konkretizimin e projekteve madhore ekonomike, paralel me procesin e integrimit europian dhe forcimin e shtetit ligjor.

“Bashkëpunimi rajonal realizohet përmes përkushtimit të heqjes së barrierave, dhe zbatimit të vërtetë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Ne duhet ta trajtojmë rajonin si hapësirë të përbashkët për të konkurruar denjësisht”, tha ndër të tjera kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

SHKARKO APP