Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Gjiknuri: Në interes të BE-së investimet për zgjerimin e Korridorit Jugor të gazit
Në kuadër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e Konferencës së 4 Ndërkombëtare “Silk Road Group”. Tema kyçe e diskutimit ishte forcimi i lidhjes mes shteteve për të garantuar sigurinë energjetike dhe ushqimore në kohët e krizave.
Në panelin për sigurinë energjetike dhe zhvillimet e qëndrueshme mjedisore e ekonomike, Gjiknuri theksoi rëndësinë e diversifikimit të rrugëve të furnizimit me energji për Evropën dhe rëndësinë që merr Korridori Jugor i gazit ku përfshihet dhe Shqipëria si vend nga ku shtrihet tubacioni i TAP.
“Deklarova se investimet në infrastrukturën alternative duke zgjeruar këtë korridor duhet të jenë prioritet dhe Bashkimi Evropian duhet të kontribuojë më shumë për këtë pasi do jetë në interes të tij. Gjithashtu, kriza energjetike e lidhur me luftën në Ukrainë ka nxjerrë në pah edhe nevojën për politika të reja rregullatore në nivel evropian. Siç provoi kjo krizë, jo gjithçka do ti lihet ta rregulloje tregu i lirë dhe shteti duhet të luajë një rol më aktiv për sigurinë energjetike e mbrojtjen e konsumatorëve. Energjia duhet të jetë burim bashkëpunimi, ndërlidhjeje e zhvillimi dhe jo të përdoret si mjet presioni politik”, nënvizon Gjiknuri.