”Asgjë me qytetarët e Bangladeshit, por duam ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë”, Çela: LSI do ta kthejë qarkun e Beratit në qendër të zhvillimit ekonomik
Kryesuesi i listës së LSI-së në Berat, njëherësh edhe drejtues politik në këtë qark, Ardit Çela këtë të diel ka mbajtur një tryezë bashkëbisedimi në Kuçovë me temë ”Kuçova, zonë e lirë ekonomike”. Ai thotë se një qeveri me politika të gabuara e kthen globalizmin në risk. Nga ana tjetër, Çela thotë se s’ka asgjë me qytetarët e Bangladeshit, por LSI është e vendosur ta kthejë Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve. ”Programi ekonomik i LSI përfshin ndër të tjera edhe krijimin e zonave të lira ekonomike, të cilat janë zona të caktuara brenda territorit doganor, në të cilat shoqëritë përfitojnë lehtësi nga taksat, subvencione për investimet, trajtime doganore preferenciale dhe procedura të thjeshtuara administrative. LSI e ka një vizion për Kuçovën dhe për Qarkun e Beratit. LSI do të bëjë të mundur realizimin e një zone të lirë ekonomike pikërisht në Kuçovë. Ne kemi zgjedhur Kuçovën pasi është një qytet shumë afër Portit të Durrësit dhe Tiranës, një qytet ku kemi një bazë të NATO-s, që e bën edhe më të sigurt për investitorët e huaj. Një qytet me papunësi të madhe, ku të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen në këtë qytet dhe pa një ndërhyrje të kësaj natyre, Kuçova do të shuhet dita-ditës”,-tha Çela.
Fjala e drejtuesit politik të LSI në Qarkun e Beratit, Ardit Çela, në tryezën e organizuar nga LSI me temë: Kuçova, zonë e lirë ekonomike
E kemi organizuar sot këtë tryezë diskutimi për të analizuar situatën ekonomike dhe sociale në Bashkinë Kuçovë, por edhe më gjerë se edhe për të ndarë mendimet tona me profesorët dhe autoritetet e ekonomisë mbi konceptet dhe instrumentet e nevojshëm ekonomikë për të zhvilluar një perspektivë të re për zhvillimin e zonës, për të hapur vende të reja të punës dhe për ti dhënë frymëmarrje ekonomike dhe sociale të gjithë Qarkut të Beratit.
Qarku i Beratit në tre vitet e fundit ka pasur një tkurrje të popullsisë me rreth minus 8 për qind, apo rreth 7 mijë vetë më pak si pasojë e migrimit të brendshëm neto. Ndërkohë, janë me mijëra të tjerë ata që kanë emigruar apo që kanë kërkuar azil rrugëve të Evropës. Nga bashkitë e Qarkut Berat, që ka reduktimin më të madh të popullsisë si pasojë e emigrimit të brendshëm, është Kuçova, një ish-qytet industrial, me tradita në industri, në mekanikë, në përpunimin dhe prodhimin e hidrokarbureve. Një qytet me kapacitete njerëzore shumë të kualifikuara, një qytet ku arsimi profesional ka qenë në nivelet më të larta dhe në funksion të prioritetit ekonomik të zonës.
Ndërsa sot për shkak të mungesës totale të vëmendjes së pushtetit qendror dhe atij lokal, për shkak të klimës negative të të bërit biznes, për shkak të dekurajimit dhe largimit të investitorëve të hua, për faj të qeverisjes së rilindjes ka vetëm disa dhjetëra biznese të mëdha dhe afërsisht 500 biznese të vogla, duke u renditur në bashkitë me numrin më të vogël të bizneseve në Shqipëri. Dhe në fakt nuk ka se si të inkurajohen investimet e huaja në Shqipëri, në Berat dhe në Kuçovë, kur sot vendi është pa gjykata. Nuk ka se si të inkurajohen investimet kur drejtpërdrejt qeveria, në mënyrë arbitrare, i përzë investitorët, fakt i provuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, duke i shkaktuar miliarda lek dëm ekonomik shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.
Me miliardat e shpërdoruara nga qeveria do të ishin përmirësuar mirëqenie dhe jetesa e gjithë qytetarëve të Kuçovës dhe të Qarkut të Beratit. Do të ishte përmirësuar e gjithë infrastruktura dhe projektet strategjike të lidhjes së Qarkut të Beratit me Përmetin, me Korçën, për lidhjen e Lumasit me Kuçovën, për ndërtimin e boshtit të jugut, për sistemin e Osumit, për ujësjellësit. Do të ishin investuar në bujqësi dhe në turizëm dhe sot nuk do të kishe një qytetar të varfër në Kuçovë dhe në të gjithë Qarkun e Beratit.
Nuk ka se si të inkurajohen investimet e huaja kur vendi ka ngecur pa shpresë në drejtim të integrimit evropian dhe kur kemi një përkeqësim të treguesve të demokracisë në vend. Nuk ka se si të inkurajohen investimet e huaja kur pamjet e tmerrit të masakrimit të investitorit të huaj në sy të familjes, në mes të autostradës, në mes të Shqipërisë pushtojnë faqet e mediave botërore. Prandaj është e nevojshme që të kemi një qasje tjetër ndaj ekonomisë, ndaj biznesit dhe ndaj investimeve të huaja. Është e nevojshme që të jemi agresivë me instrumente ekonomikë e financiarë për të materializuar konkretisht koncepte dhe modele të suksesshme ekonomike, për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke rritur mirëqenien e qytetarëve tanë.
Programi ekonomik i LSI përfshin ndër të tjera edhe krijimin e zonave të lira ekonomike, të cilat janë zona të caktuara brenda territorit doganor, në të cilat shoqëritë përfitojnë lehtësi nga taksat, subvencione për investimet, trajtime doganore preferenciale dhe procedura të thjeshtuara administrative. LSI e ka një vizion për Kuçovën dhe për Qarkun e Beratit. LSI do të bëjë të mundur realizimin e një zone të lirë ekonomike pikërisht në Kuçovë. Ne kemi zgjedhur Kuçovën pasi është një qytet shumë afër Portit të Durrësit dhe Tiranës, një qytet ku kemi një bazë të NATO-s, që e bën edhe më të sigurt për investitorët e huaj. Një qytet me papunësi të madhe, ku të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen në këtë qytet dhe pa një ndërhyrje të kësaj natyre, Kuçova do të shuhet dita – ditës.
Ne kemi ndjekur modelin e investimeve në zonat e lira në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe jemi të bindur se me një vëmendje serioze që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ky model do të japë rezultatet e pritshme edhe tek ne.
Implementimi i zonave të lira në rajon ka sjellë investime të huaja direkte deri në 2.5 miliard euro. Ka sjellë investimet me mbi 400 kompani të huaja. Janë hapur mbi 40 mijë vende të reja pune. Nga krijimi i zonës së lirë ekonomike në Kuçovë pritet që brenda tre viteve nga fillimi i aktivitetit të kemi një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja dhe punësimin e rreth 2 mijë personave, duke zgjidhur kështu njëherë e përgjithmonë problemin e papunësisë dhe rrogave të ulëta në Kuçovë, në Perondi, në Kozarë, në Lumas dhe në të gjithë Qarkun e Beratit. Investitorët e huaj që do ta vijnë në Shqipëri do të asistohen dhe ndiqen nga Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Zonave të Lira. Kjo agjenci do të krijojë lidhjet e shpejta dhe të drejtpërdrejta me investitorët e huaj, zyrave të punësimit, enteve shtetërore dhe shkollave profesionale.
Në Kuçovë parashikohet edhe rivitalizimi i Teknikumit, hapja e një akademie profesionale, që do të përgatisë profesionistë të nevojshëm për të punuar në këto zona, kryesisht në sektorët e Mekanikës, Mekatronikës, Teknologjisë së Informacionit dhe Përpunimit të Hidrokarbureve. Ky vizion i zhvillimit ekonomik dhe social të zonës, përveç punësimit, do të sjellë orientimin e të rinjve drejt tregut të punës si dhe do të frenojë fenomenin e shpopullimit të vendit. Dhe në fund të fjalës sime, më lejoni të theksoj se, ky vizion i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk është thjesht dhe vetëm një zotim në letër, por është një angazhim real qeverisës që do ta kthejë Kucovën dhe Qarkun e Beratit në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social.