Asnjë ndihmë për farmacitë/ Toma, kritika paketës së qeverisë: ”Kemi rënie të ndjeshme të xhiros, rrezikohen pagat ”
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë kritikon paketën e zgjeruar ekonomike të qeverisë, që le jashtë përfitimit sektorin farmaceutik. Në një prononcim për TV SCAN, presidentja e Urdhrit Diana Toma thotë se ndonëse farmacitë kanë qenë hapur gjatë periudhës së fatkeqësisë, ato kanë pësuar një rënie të ndjeshme të xhiros. Sipas saj shitjet janë përqendruar te maskat, dorezat apo dezinfektantët dhe jo te barnat.
Sipas Tomës, qeveria duhet të të ndërhyjë për të ndihmuar edhe këtë sektor, teksa propozon disa masa të nevojshme që duhet të ndërmerren. Paketa e zgjeruar ekonomike e prezantuar pak ditë më parë kap vlerën e 70 milion dollarëve, ndërsa sipas qeverisë përfitues janë 176 mijë individë./ SCAN