Asnjë në burg për dëmet e tërmetit
Sot u shënua 2 vjetori i tërmetit tragjik që u mori jetën 51 qytetarëve dhe askush nuk është pas hekurave. 4 prokurori, atje ku dëmet ishin më të mëdha, Tirana, Durrësi, Kruja dhe Lezha nisën hetimet.
E para ishte Prokuroria e Durrësit, që nxori urdhër-arreste për 17 persona. 9 prej tyre u ndaluan, ndërsa në kërkim u shpallën 8 të tjerë. Personat ndaj të cilëve u ngritën akuza ishin ndërtues, kolaudues, supervizorë punimesh, deri tek zyrtarë dhe ish-zyrtarë të pushtetit vendor dhe agjencisë shtetërore të legalizimeve, ish-ALUIZNI-t.
Për Arben Isakun, ish-drejtor i ALUIZNI-t, i akuzuar për shpërdorim detyre, gjykata ka pushuar çështjen duke mos u pranuar as ankimi në Apel. Nga i akuzuar, Isaku është emëruar drejtor në Bashkinë e Durrësit. Edhe për Artur Terziun, pronarin e lokalit “Barons” i cili kishte ndërhyrë në kolonat e pallatit ku humbën jetën 2 shtetase, gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje duke e liruar nga qelia.
Prokuroria e Tiranës nxori mbi 30 urdhër ndalimi për pasojat e tërmetit. Asnjëri prej personave të ndaluar dhe akuzuar nuk është në qeli. Në vendnumëro janë hetimet edhe për Krujën dhe Lezhën; edhe pse dhjetëra persona u vunë në hetim, asnjëri prej tyre nuk ka përfunduar ende në gjykatë.
Në Krujë hetimi ende nuk ka një konkluzion për shembjen e shkollës “Ramazan Jangozi”, në Thumanë. Drejtësia shqiptare ende nuk e ka të qartë se cilët janë ata që u bën shkak për shembjen e dhjetëra godinave dhe humbjen e 51 jetëve.