Asnjë në burg për trazirat në PD
Pas arrestimeve të shtunën, këtë të mërkurë Gjykata e Tiranës liroi 34 të arrestuarit për trazirat në protestën e 8 janarit në selinë blu. Si mbështetësit e Sali Berishës, apo dhe të kryetarit Lulzim Basha, morën nga Gjykata masën e sigurisë ”detyrim paraqitje”, por disa dolën edhe pa masë sigurie. Përkatësisht, togat e zeza kanë vendosur 20 masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa 14 të tjerë u lanë të lirë pa masë.
Deputetja Albana Vokshi, tha se kjo vërtetoi që protesta ishte paqësore. Sipas saj Policia e prokuroria dështuan të dëshmonin qoftë edhe një provë të vetme për t’i implikuar. Ndër të tjera, Vokshi akuzon dyshen Rama-Basha për skenar dhune më 8 janar.
Për juristin Çlirim Gjata policia nuk ka bërë asgjë për grupin paramilitar që ka qenë brenda, dhe asnjë prej tyre nuk është ndaluar pasi kanë pasur mbrojtjen e Ramës dhe Bashës.
Edhe mbështetësit e Lulzim Bashës janë liruar. Përfaqësuesit e tyre në Gjykatë deklaruan pas vendimit që nuk u gjend asnjë send i kundraligjshëm në cilësinë e provës. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa, theksoi se prokuroria pohoi që nuk u gjend asnjë send shpërthyer në selinë e PD-së. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, pati edhe përplasje me efektivët e gjykatës.
Artisti Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi pretendon se është arrestuar pa asnjë shkak. ”Është hera e parë që më arrestojnë pa bërë asnjë gjë, pa asnjë shkak”, citohet të ketë thënë Stresi. Para nisjes së seancës, Stresi është shfaqur i qeshur në sallë, duke thërritur ”Basha ik”.