Asnjë numër të celulari të regjistruar në emër të Shullazit

Prokuroria kërkon verifikimin e pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit si dhe te të dyshuarve si pjesëtarëve të bandës së tij. Nga ana tjetër, kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë konfirmuar se Emiljano Shullazi nuk ka numër të regjistruar në emrin e tij.
Emiljano Shullazi nuk përdorte telefon, të regjistruar në emër të tij.
ABC News ka mësuar se kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë njoftuar policinë dhe prokurorinë se në emër të Emiljano Shullazit nuk ka numër të regjistruar pranë tyre. Përgjigja e kompanive, ka bërë që hetuesit të krijojnë bindjen se Shullazi ishte shumë i kujdesshëm me përdorimin e telefonave.
Ata thonë se Shullazi përdorte celularët e personave të tjerë që mbante pranë tij, si Gilmando Dani apo i arrestuari tjetër Blerim Shullazi. Të dy këta të dyshuar, thonë burimet, kanë edhe më shumë biseda të përgjuara, por që janë treguar të kujdesshëm në komunikim. Nga ana tjetër, burimet thonë se po grupi hetimor  po verifikon numrat e personave të tjerë që rrinin në krah të Shullazit apo familjarëve të tyre.
Sipas prokurorisë, në shumicën e rasteve pjesëtarët e këtij grupi kriminal, përdornin telefonat vetëm për të lënë takime me personat e tjerë. Ku në shumicën e bisedave, personat e përgjuar flisnin në emër të Emiljano Shullazit, i arrestuar për disa akuza, mes tyre gjobëvënien ndaj shumë biznesmenëve në Tiranë.
Burimet thonë se grupi hetimor i kryesuar nga dy prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë deleguar një sërë detyrash tek oficerët e policisë gjyqësore për të kryer disa veprime hetimore për dosjen.
Në mesin e tyre janë edhe evidentimi nga Hipoteka e të gjitha pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit dhe personave të tjerë të dyshuar, për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale. Si dhe, është kërkuar nga bankat e nivelit të dytë në vend të identifikojnë llogarit bankare në emër të Emiljano SHullazit dhe pjesëtarëve të afërt të familjes së tij. Veprim ky, i marrë nga grupi hetimor pasi dyshohet se Shullazi ka përfituar shuma të mëdha parash nga aktiviteti kriminal i gjobëvënies ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend.

SHKARKO APP