Astiri, Kamza dhe Lapraka, zonat më të nxehta për Covid-19
”Zonat më problematike janë Astiri, Kamza, dhe Lapraka nuk mbetet pas”, thotë epidemiologia Ermelinda Murati në lidhje me rastet aktive dhe të reja me Covid-19.
Personat e painfektuar më parë dhe që nuk e kanë kryer vaksinën rezultojnë më të prekurit në këtë periudhë. Epidemiologët tregojnë se nuk mungojnë rastet e infektimeve tek individët që kanë krijuar imunitet natyral apo nga vaksina, edhe pse format e sëmundjes tek këta të fundit janë më të lehta.
“Më tepër janë persona që nuk e kanë kaluar dhe nuk janë të vaksinuar. Por nuk përjashtohen edhe rastet e personave që kanë qenë të vaksinuar”, thotë Murati.
Specialistët bëjnë thirrje të mos neglizhohen shenjat, por të bëhet kërkesë për tampon. Rastet që rezultojnë pozitiv duhet të izolohen për të mos infektuar të tjerët, pasi Delta është shumë më ngjitës se varianti britanik. Sipas epidemiologëve vaksinimi është i nevojshëm për të ulur rastet e rënda.