Astrit Patozi: Dy fjalë përshëndetjeje për Zef Lleshin

 

Nga Astrit Patozi/

Sot u ndanë nga kjo botë dy katolikë të mirë, për të cilët ndoshta Migjeni mund të thonte se qëndronin në dy skajet e një litari. Imzot Rrok Mirdita, një ikonë e ringritjes së Kishës në Shqipëri, ose bariu i grinjës katolike për 25 vjet me radhë në këtë vend. Dhe Zef Lleshi, ish-gazetar i Rilindjes Demokratike, për të cilin nuk guxoj të them se nuk besonte, por jam shumë i sigurt që nuk ishte praktikant i fesë së tij. Nuk jam i sigurt nëse të dyve u kishte rasti të takoheshin ndonjëherë me njëri-tjetrin, por kjo nuk ka asnjë rëndësi.
Të parin, imzot Mirditën, nuk e kam njohur nga afër, ndaj edhe nuk mund të them asnjë fjalë më shumë se sa dinë të gjithë ata që ndjekin me vëmendje jetën publike në Shqipëri. Kam vërejtur në distancë me respekt dhe vlerësim të vecantë aktivitetin e tij si klerik i lartë, por dhe si intelektual i spikatur shqiptar.
Ndërsa me Zefin kemi kaluar të paktën 10 vjet në të njëjtën cati, ndaj edhe e ndjej detyrim të ndalem pak. E kishim si rrufepritëse për të shuar cdo mundësi tensioni dhe mund të jetë ndoshta i vetmi njeri, me të cilin kam ndenjur kaq gjatë dhe nuk e kam parë kurrë të nxehet, e jo më të zihet me njeri. Që do të thotë, se ishte unikal, ndaj me siguri atij i shkon më shumë se kujtdo tjetër termi "racë në zhdukje".
Dhe kur mësova lajmin se Zefi u nda prej kësaj bote në një ditë me Imzot Rrok Mirditën mendova pafajësisht se nuk është e domosdoshme të jesh prift për të rrezatuar mirësi dhe urtësi në këtë botë. Mund ta bësh edhe pa veshur kurrë veladon, madje jo thjesht të predikosh, por mbi të gjitha të shpërndash vetë paqe dhe dashuri, kudo ku jeton dhe punon. Ashtu sic beri miku ynë Zef Lleshi. Deri sot që u nda para kohe prej nesh.

Në paqe u prehshin të dy!

SHKARKO APP