Astrit Patozi: Ndarja e PD-së është zgjidhja më e mirë
Një nga figurat e vyera të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, e sheh ”Foltoren” e Sali Berishës si një betejë personale, më shumë se sa një ringritje të PD.
”Berisha e ka betejë personale, ajo ka lindur si lëvizje me 9 shtator, kur Basha vendosi ta pezullojë. Berisha është në të drejtën e vetë të vazhdojë të bëjë karrierën e tij politike por të heqë dorë nga analiza e Bashës në këto 8 vite, se ai ka qenë tutori i tij në aksionet politike”, tha Patozi në Top Talk.
Po ashtu ai thekson se Berisha kërkon që të rimarrë PD me letra dhe ta zbojë Bashën. Patozi mendon se ndarja e PD-së është zgjidhja më e mirë.
”Basha mund ta përjashtojë fare Berishën në ditët në vijim, për ta konsideruar si entitet tjetër politik dhe në rast se ata ndahen, që është shpëtimi, se në fakt kjo që duket gjëja më e keqe, por është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë PD. Ndarja e PD-së e rrit mundësinë një kompromisi të mundshëm, kurse kacafytja vetëm e shkatërron. Halli i Berishës është që e do të gjithën ose asgjë, por unë mendoj që nuk e merr dot të gjithën, dhe ky është halli i Berishës”.