Astrit Patozi: Ndryshimi nuk është slogan i rëndomtë fushate, por një sipërmarrje e vështirë që kërkon kurajë

Nga Astrit Patozi

ZGJIDHJA ËSHTË NË MES
Ndryshimi nuk është një sllogan i rëndomtë fushate, i cili mund të vijë lehtësisht, mjafton që ta përmendësh. Por është një sipërmarrje e vështirë, që kërkon kurajo, përkushtim, ndershmëri dhe vizion të qartë që të arrihet.
Ai nuk mund të vijë kurrësesi prej atyre që po gulçojnë të kërrusur nga mbipesha e pushtetit, duke u përpjekur për ta mbajtur atë me thonj e me dhëmbë. Sepse të njëjtën gjë kanë për të bërë, edhe 100 vjet të tjera po të kenë mundësi.
Por as nga ata që po vringëllijnë hanxharët dhe kanë ngjeshur lugët në brez të babëzitur, duke pritur thjesht që të vijë një ditë radha e tyre e gjuetisë. Duke mos ndryshuar asgjë, madje as edhe rregulloren për mbajtjen e çiftes.
Zgjidhja është alternativa e tretë, si e vetmja mundësi për të qetësuar sadopak epshet e syskuqurve në të dy krahët, që i kanë dhënë të gjitha provat dhe garancitë, se po e patën në dorë, e fusin në mes këmbëve Shqipërinë për ta shqyer dhe copëtuar.
Vetëm duke i refuzuar të trija “bandat” e Fatos Lubonjës ne mund ta zbehim fuqinë e tyre dhe të shpresojmë në një Shqipëri më pak të korruptuar, më të drejtë dhe më demokratike.
Voto bindjen dhe jo thjesht partinë tënde më 25 prill!

SHKARKO APP