Astrit Patozi: Nuk na hyn në punë flamuri i partisë për COVID 19

Nga Astrit Patozi

Nuk na hyn në punë flamuri i partisë për COVID 19

E mira do të ishte që edhe ne të silleshim me koronavirusin, ashtu siç edhe sillet ai me ne. Duke na trajtuar të gjithëve njësoj, pavarësisht, nëse jemi të varfër apo të pasur, të bardhë apo të zinj, shqiptarë apo serbë, amerikanë apo kinezë, të vegjël apo të mëdhenj. Por kjo me sa duket është e pamundur, sidomos për ne, që e kemi shumë të vështirë të bëhemi bashkë edhe për çështje të tilla si data e çlirimit, çfarë burri ka qenë Skënderbeu, kush e pavarësoi Kosovën apo së fundmi edhe për thirrjen e komandantëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës.
Po në këtë pikë nuk jemi të vetmit, sepse ka kudo në botë konspiracionistë, paranojakë, delirantë, mosbesues apo edhe të çmendur, që ose nuk e pranojnë fare, ose e vlerësojnë në mënyrën e tyre, që nuk ka asnjë lidhje me shkencën, COVID-in.
Fatmirësisht, ata janë pakicë dhe si të tillë duhen respektuar, deri në pikën, që nuk bëhen të rrezikshëm për të tjerët. Nëse e kapërcejnë këtë cak sigurisht që duhet të mbajnë përgjegjësi, jo vetëm morale, se nuk ia ka borxh askush që të vuajë pasojat e fiksimeve apo marrëzive të tyre, të cilat në disa raste mund të jenë edhe fatale për të tjerët.
Po meqë jemi tek kjo temë, mendoj se të paktën të sëmurët nga pandemia duhet t’i konsiderojmë njësoj, minimumi me të njëjtën ndjesi njerëzore, dhe kjo qasje nuk duhet të vlejë vetëm për personelin mjekësor.
Personalisht i uroj shërim të shpejtë fillimisht çdo shqiptari dhe pastaj cdo qytetari të botës, që përballet me armikun e padukshëm, pavarësisht asaj që ai përfaqëson. Petrit Vasilit, Blendi Klosit, Rudina Hajdarit, Damian Gjiknurit, Belind Këlliçit e kujtdo shqiptari tjetër, pa asnjë dallim nga flamujtë e partive apo të rangut shoqëror, që i përket, sepse as politika dhe as hierarkia nuk kanë lidhje fare me këtë çështje.
Por natyrisht, që kjo është e pamjaftueshme. E rëndësishme është që ne të mbështesim me çdo mundësi që kemi ata që janë në frontin e parë të luftës, mjekët, infermierët dhe çdo hallkë të sistemit shëndetësor të angazhuar në këtë betejë. Unë këtë e bëj pa asnjë hezitim dhe nuk më intereson hiç, nëse këta burra apo gra që po përballen me pandeminë në Shqipëri janë me qeverinë apo me opozitën.
Dhe nuk e çoj ndër mend fare të bëj llogari elektorale me këtë flamë të keqe, e cila gati ka gjunjëzuar gjithë globin, qoftë edhe po të dalë Fatos Lubonja e të më thotë se kjo i prish punë ndonjë “bande”, nga ato që që ai ka zgjedhur t’i shërbejë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit.

SHKARKO APP