Atentati ndaj Çapjas dhe kriminaliteti, Lleshaj: Heqja e masave kufizuese shfytëzohet nga grupet kriminale
Një ditë pas atentatit mafioz ndaj Ardian Capjas në Elbasan ka reaguar për herë të parë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, sipas të cilit kjo ngjarje kriminale por dhe të tjera të regjistruara ditët e fundit vijnë si pasojë e heqjes së masave kufizuese. Lleshaj drejtorëve të policisë u la afat fundin e qershorit për luftën ndaj kanabisit.
Një ditë pas atentatit me snajper ndaj Ardian Çapjas, dhe një serë ngjarjesh kriminale ditët e fundit, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar për herë të parë. Sipas tij heqja e karantinës dhe masave të tjera kufizuese, është shfrytëzuar nga grupet kriminale, ndaj kjo është arsyeja që javët e fundit ka patur disa ngjarje të rënda kriminale, si vrasje e atentate.
”Hapja, shtimi i densitetit të lëvizjes do të shtojë edhe mundësitë ose hapësirat e grupeve kriminale për të goditur. Edhe rastet e ditëve të fundit tregojnë që krimi tenton të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme.”
Lleshaj, gjatë mbledhjes me drejtorët vendorë të policisë, u ka përcaktuar fundin e qershorit si afatin që duhet të përfundojë përpjekja për të përfunduar luftën ndaj kanabisit.
”Ne synojmë që brenda muajit qershor, përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin të mbyllet.”
Pas qershorit, Lleshaj shprehet se autoritetet ligjzbatuese nuk do merren më me bimët, por me personat përgjegjës që kanë lejuar këtë fenomen dhe administrojnë territorin.
”Nuk do merremi më me bimët por do merremi me personat që kanë përgjegjësi për këtë çështje. Kemi dhe një kategori tjetër personash me përgjegjësi ligjore në këtë fushë, janë zyrtarët e ngarkuar me administrimin e territorit.”
Me kalimin e situatës së pandemisë, ministri i Brendshëm kërkoi nga OFL që të shtojë ritmin e goditjes së financave të krimit të organizuar.