Atentati në “Don Bosko”. Një nga të plagosurit në gjendje kritike, tre të tjerët jashtë rrezikut për jetën

Atentati i të martës dyshohet të ketë pasur si shënjestër Edmond Crrojin, i cili është njëri nga personat që ndodhet në gjendje kritike në reanimacionin e spitalit të Traumës. Ndërsa dy personat e tjerë, Arben Dani dhe Azbi Selmanaj ndodhen në pavijon dhe jashtë rrezikut për jetën.

Burimet thanë se Crroji mbeti i plagosur në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja e tij sipas mjekëve duket e stabilizuar për momentin, por gjithsesi ka nevojë për kujdes intensiv nga bluzat e bardha.

Në gjendje të rënduar vazhdon të jetë edhe i vëllai i viktimës, i cili ka mbetur i plagosur në pjesën e fytyrës. Me kërkesë të familjarëve të tij, Blerim Çela është dërguar në një spital privat në kryeqytet dhe po merr trajtim të specializuar.

Viktimë e këtij atentati mbeti 35-vjeçari Erion Çela, i njohur ndryshe edhe me emrin Adriatik Çela.

Edmond Crroj rezulton i skeduar disa kohë më parë për dy vepra penale atë të trafikut të narkotikëve dhe prostitucionin.

Në vendin e ngjarjes policia nuk ka gjetur gëzhoja ndonëse hetuesit kanë dyshime se është qëlluar rreth 15 herë. Ky element shton dhe më tej dyshimet se ka qenë një atentat i mirorganizuar.

3 kanë qenë autorët të cilët kanë qëlluar nga brenda mjetit Mercedez, duke shmangur rënien e gëzhojave jashtë tij.

Shënjestrat e atentatit dyshohet të jenë mbajtur në vëzhgim.

SHKARKO APP