Atentati në Durrës, Spaho: Qeveria e përzierë në këtë ngjarje. Arta Marku, kamikaze e këtij regjimi

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho reagon sërish lidhur me atentatin e 1 Nëntorit pranë “Mbikalimit të Shkozetit” në Durrës.

Përmes një postimi në Facebook, ai hedh akuza të forta ndaj shtetit, që sipas tij është përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale, ndërsa nuk le pas as drejtuesit e rinj të drejtësisë në vend.

Sipas Spahos, prokurorja e përgjithshme Arta Marku është një kamikaze e këtij regjimi.

“Jo vetëm qeveria është e inkriminuar dhe e përzierë me interesa në këtë ngjarje, por ajo që të shokon më shumë eshtë gadishmëria e drejtuesve të drejtësisë së re për ti shërbyer asaj sa më shumë që të jetë e mundur.

Është alarmuese nëse këto që shkruhen janë të vërteta. Turp nëse i pari i sistemit të ri të drejtësisë është katandisur në harues letrash vasaliteti dhe besnikërie ndaj Ramës.

Pavarësisht lidhjeve të forta që ka me këtë mazhorancë, duhet të tregonte qoftë edhe një grimë integriteti formal duke ndenjur jashtë intrigave dhe makinacioneve ordinere.

Nuk pres të veprojë ndryshe Arta Marku. Ajo është një kamikaze e këtij rregjimi dhe për tu bërë prokurore e përhershme është gati të kalojë edhe ylberin”, shkruan Spaho në reagimin e tij.

Deklarata e nënkryetarit të PD vjen pak minuta pasi shoferi i prokurorit Arjan Ndoja ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

SHKARKO APP