Atentati në Laç/ Një nga viktimat u vra me plumba blindshpues
Atentati i së shtunës në Kurbin, ku mbeti i vrarë në vend Bujar Hasani, i njohur edhe me mbiemrin Lika, ndërsa në spital në Tiranë, ndërroi jetë miku i tij, Paulin Gjergji, ka shumë mistere. Por mësohet se autorët kanë qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri të tipit kallashnikovë, me fishekë blind shpues.
Ka dyshime se 37-vjeçari Lika ishte objektiv i këtij atentati, ndërsa autorët kanë pasur djeni se prej disa kohësh ai lëvizte me makinë të blinduar. Ekspertë të kriminalistikës, zbuluan se ka pasur shkëmbim zjarri. Në dorën e viktimës, policia gjeti një armë pistoletë, me të cilën Lika ka qëlluar disa herë në drejtim të autorëve. Ngjarja ndodhi në hollin e një hoteli pranë kthesës së Gjormit.
Rreth 20 metra larg vendit të ngjarjes, i plagosur me armë zjarri u gjet 21 vjeçari Kreshnik Tusha, për të cilin policia dyshon se është një nga autorët që qëlluan në drejtim të Bujar Likës e Paulin Gjergjit. Tusha ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. I riu nuk ka treguar se si u plagos, duke mos ndihmuar kështu hetuesit me dëshminë e tij.