Atentati në Rinas, dosja kalon në SPAK. Hetimet: U krye nga një grup kriminal
Atentati tek rrethrrotullimi i Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri u organizua dhe realizua nga një grup i strukturuar kriminal.
Në këtë konkluzion doli prokuroria e Tiranës pas 3 muajsh hetime mbi atentatin mafioz, ndaj prokurori Ardian Dyrmishi vendosi të shpallë moskompetencën dhe ta përcjellë dosjen voluminoze për hetime të mëtejshme në prokurorinë e Posaçme.
Nga administrimi i akteve, janë ngritur dyshime se për të realizuar atentatin janë angazhuar një numër i lartë personash, ku 3 kanë patur rolin e ekzekutorit, sikurse rezultoi nga pamjet filmike, ndërsa vrasja dyshohet se është urdhëruar për shkak të përplasjeve mes grupeve krimininale që operojnë në fushën e gjobëvënies.
Mënyra sesi autorët e dyshuar kanë vepruar, duke zgjedhur rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit, për të ekzekutuar shenjestrën e tyre, numri i lartë i pjesëmarrësve në ngjarje, fakti që Gilmando Dani është një ish i dënuar për gjobëvënie, si dhe ndërprerja e energjisë elektronike në zonë, sipas hetuesve flet për një formë të lartë të organizimit kriminal.
Gilmando Dani, i dënuar për gjobëvënie në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi ekzekutua tek rreth-rrotullimi i Rinasit mesditën e 11 nëntorit 2025. Ai udhëtonte si pasagjer në një automjet që drejtohej nga agjenti I AMP-së Muçi Shaljani. Ky i fundit u plagos dhe ndërroi jetë më vonë në Spitalin e Traumës. Dy viktimat kishin udhëtuar dhe kthyer sërish nga Spanja dhe sapo zbritën në Rinas u qëlluan për vdekje.
KOHA JONË SONDAZH

