Atent@ti, lidhja e objektivit me ”të fortin” e Vlorës

Vlora u trondit mbrëmjen e së mërkurës, ku mbi 60 plumba kallashnikovi u zbrazën në një atentat mafioz në drejtim të objektivit Kevin Hajrulla në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar. Si pasojë e breshërisë mbetën të plagosur 30-vjeçari Kevin Hajrulla dhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili ishte tregtar ambulant i fruta-perimeve.

Kevin Hajrulla, i cili nuk njihet si person me precedentë penalë, mori disa plumba në trup dhe gjendja e tij shëndetësore është në rrezik. Ndërsa i plagosuri tjetër, Armand Spahiu, u qëllua gabimisht nga autorët me një plumb në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.

Pamjet e makinës së 30-vjeçarit tregojnë edhe egërsinë e sulmit. Pak minuta pas ngjarjes, zona ku ndodhi krimi u mbush me oficerë të krimeve dhe ekspertë kriminalistikë, të cilët u munduan të mblidhnin të gjitha provat, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë që mund të hedhin dritë mbi itinerarin që kanë ndjekur autorët. Ngjarja pasoi me një informacion se në Panaja po digjej një automjet, i cili u verifikua se ishte i autorëve, të cilët kishin lënë pas edhe dy armë zjarri kallashnikov.

Në vendin e ngjarjes u mblodhën dhjetëra gëzhoja, ndërsa policia nisi shoqërimet për të marrë në pyetje persona në lidhje shoqërore me objektivin e atentatit. Sulmi terrorizoi edhe qytetarët në zonë. Kevin Hajrulla është kushëriri i Inez Hajrullës, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili i ka bërë ballë disa atentateve në Vlorë dhe njihet si pasuesi i perandorisë kriminale të Edison Harizajt, i mbetur i vrarë në një atentat në vitin 2018 në Durrës. Hetuesit ende nuk kanë të qartë pistën për këtë ngjarje, ndërkohë që mëngjesin e së enjtes, i plagosuri Hajrulla është transportuar me urgjencë për në spitalin e Traumës, ku ndodhet në rrezik për jetën. /Euronews Albania/

SHKARKO APP