Audiopërgjimi i legalizimeve, Rama s’e mohon: Artan Lame ka përshkallëzime linguistike, nganjëherë është të marrësh atë shkopin e Fevziut edhe t’ia…

Në studion e “Opinion”, Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për një audiopërgjim të publikuar dy ditë më parë ku dëgjohej kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, i cili u jepte direktiva vartësve të tij, që të mbanin me shpresë banorët që donin të legalizonin 100 mijë objekte pa leje.

Teksa përsëriti qëndrimin e vetë Lames, i cili sqaroi se kjo bisedë ishte zhvilluar në vitin 2017-të, Rama tha se kush e njeh Lamen e di fare mirë se “kur flet ka përshkallëzime linguistike që nganjëherë është që të marrësh atë shkopin e Fevziut edhe t’ia… ”

Blendi Fevziu: Kreu juaj i ALUIZNI-it, i është publikuar një bisedë e tij me punonjësit…

Edi Rama: Për çfarë e nxjerr këtë? Pse nxjerr këtë, ndërkohë që kreu i ALUIZNI-it, ka bërë një shpjegim të qartë.

Blendi Fevziu: Po që është e vitit 2017.

Edi Rama: Ka bërë një shpjegim të qartë dhe ka thënë kjo bisedë është e vitit 2017 dhe këtë të ka thënë ty dhe të gjithë gazetarëve që ju të verifikoni kohën e kësaj bisede, që nuk verifikohet dot sepse në telefon t’i nuk e di, ka thënë shikoni çfarë diskutohet aty lidhur me boshllëqet ligjore dhe shikoni ligjin e ri që është bërë më vonë. Dhe kjo është çështje e mbyllur.

Blendi Fevziu: Tani e 2017-s dakord, e marr të mirëqenë këtë. Ka të drejtë një drejtues shtetëror të thotë që kemi nja 100 mijë që nuk kemi ç’i bëjmë po gënjeni njëçikë sa të kalojnë zgjedhjet? Qoftë në 2017?

Edi Rama: Ore zotëri, edhe njëherë tjetër. E para punës njëherë ajo bisedë nuk është bërë para zgjedhjeve, e para. E dyta, për votat për tjetrin flitet rregullisht në të gjitha kabinetet e botës dhe nga të gjithë sepse… Dhe e treta, e njeh Artan Lamen ti?

Blendi Fevziu: Unë e njoh Artan Lamën më mirë se ju, edhe më herët se ju.

Edi Rama: Besoj e ndajmë bashkë mendimin që Artan Lamja kur flet ka përshkallëzime linguistike që nganjëherë është që të marrësh atë shkopin tat edhe t’ia…

Blendi Fevziu: Jo jo mua Artan Lame mu duk zyrtar serioz, që thotë 100 mijë legalizime nuk bëhen, sepse në fakt nuk bëhen sepse janë katastrofë një pjesë.

Edi Rama: Pse e nxjerr këtë tani, për çfarë e nxjerr për propagandë? Shiko sesi ndodh… sepse për këtë i zoti i punës ta ka dhënë shpjegimin ty si gazetar dhe ti nuk duhet ta nxjerrësh këtë tani për të bërë propagandë, sepse shpjegimi është shumë i qartë, sepse Artan Lame ka folur për ligjin e Saliut. Dhe Artan Lame ka thënë që me këtë ligj i bie që ne prishim kaq dhe të tjerëve t’i them nuk bëhet dhe ndërkohë ne kemi bërë ligjin e ri dhe prandaj ka një arsye pse numri i legalizimeve është rritur pasi është bërë kjo bisedë e Artan Lames.

SHKARKO APP