Auditimet e KLSH-së për vitin 2015

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi  në qytete të ndryshme të vendit, në mjediset e Universiteteve Publike, analizat vjetore të departamenteve të tij të auditimit,  mbështetur në ISSAI 1, Deklarata e Limës,  Neni 16 i saj ”Raportimi në Parlament dhe ndaj publikut të gjerë”, të ISSAI 12 “Vlerat dhe dobitë e SAI-ve: të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve” dhe  të ISSAI 20 “Parimet e transparencës dhe llogaridhënies”. Analizat vjetore të Departamenteve u fokusuan në “Performancën dhe impaktin e veprimtarisë audituese të Departamenteve të Auditimit gjatë vitit 2015”.  Departamenti i Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit, zhvilloi analizën në datat 18-19 Dhjetor 2015, në qytetin e Shkodrës, në  mjediset  e  Universitetit  publik  “Luigj Gurakuqi”. Analiza vjetore u organizua në formën e një workshop-i ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të botës akademike dhe të profesoratit të qytetit të Shkodrës,  përfaqësuar nga z. Gëzim Puka, Dekan i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Erieta Troshani, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, zj.Brilanda Bushati, Drejtore Departamenti në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe përfaqësues të medieve lokale, pedagogë dhe studentë të universitetit.

Analiza vjetore  evidentoi arritjet, mangësitë dhe detyrat për realizimin e tyre, pritshmëritë për të ardhmen si dhe u përcaktuan objektivat për vitin 2016. Një vëmendje e veçantë ju kushtua fillimit të auditimeve në fushën e tatimeve, miratimit të Ligjit të Ri të KLSH-së, i cili është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe hap horizonte të reja për Institucionin më të Lartë të Auditimit në Shqipëri.

Objektiva për periudhën në vijim janë: Përdorimi i IT në vlerësimin e riskut dhe auditimin nëpërmjet IT: Aksesi në database/ASYCUDA/Datech/IDEA; Forcimi i kapaciteteve audituese, etj.   Departamenti i Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit zhvilloi në qytetin e Vlorës, në datën 18 dhjetor 2015,  analizën e veprimtarisë së tij. Ky aktivitet u mbajt në mjediset e universitetit publik “Ismail Qemali” dhe u realizua  nën një këndvështrim të ri, në formën e shkëmbimit të eksperiencave për praktikat më të mira audituese.  Pjesëmarrës në këtë workshop, përveç audituesve të departamentit, ishin edhe Dekania e Fakultetit Ekonomik znj. Evelina Bazini si dhe anëtarë të stafit akademik, studentë etj..  Krahas prezantimeve të auditimeve më të mira, gjatë workshop-it u bë vlerësim në këndvështrimin e performancës së departamentit dhe aktiviteti u shoqërua me bashkëveprim  me pedagoget dhe studentët e universitetit publik, duke bërë që  përqasjet dhe debati të ishin me interes të veçantë dhe me shumë vlerë. Gjatë zhvillimit të workshop-it në formën e një bashkëbisedimi interaktiv, u arrit që të identifikoheshin rezultatet më të mira audituese, pikat e dobëta të punës audituese, si dhe u dhanë mendime për përmirësimin e punës në të ardhmen. Workshop-i filloi me prezantimin e përmbledhjes së punës audituese për vitin 2015 nga Drejtori i Departamentit dhe më pas aktivitetin e përshëndeti edhe Dekania e Fakultetit të Ekonomisë zj. Evelina Bazini, e cila theksoi rëndësinë e zhvillimit të këtij lloj aktiviteti në qarqet akademike për arsye se sjell ndërthurje të eksperiencave dhe njohurive teorike me ato praktike. Më pas aktiviteti vijoi me prezantimet e punës audituese të kryera në disa subjekte të ndryshme dhe u përmbyll me përcaktimin e objektivave  kryesore të departamentit dhe sfidat për vitin 2016.

Departamenti i Auditimit të Buxhetit Qendror, Administratës së Lartë Publike, Kontrollit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm, e zhvilloi workshop-in në datën  19 dhjetor në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali”,Vlorë. Nga Universiteti i Vlorës mori pjesë Rektori i Universitetit Prof. Dr. Albert Qarri, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, krahas të tjerave evidentoj dhe vlerësoi vizionin e ri të viteve të fundit të KLSH-së, në kërkim të vazhdueshëm të bashkëpunimit me botën akademike.  Workshop-i trajtoi performancën vjetore të veprimtarisë audituese të Departamentit dhe impaktit në këndvështrimin e rekomandimeve të adresuara nga KLSH subjekteve të audituara, shkallën e pranimit/implementimit të tyre. Në këtë aspekt u theksua se ky Departament përgjatë vitit 2015 ka audituar dhe adresuar çështje dhe aspekte të rëndësishme të ekonomisë siç janë: Menaxhimi i Financave Publike; Menaxhimi i Sektorit Energjitik si një nga sektorët më nevralgjikë në ekonomi duke evidentuar problematika dhe adresuar rekomandime mjaft të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejt në miradministrimin e pasurive dhe aseteve kombëtare; Menaxhimi i fondeve publike për mbrojtjen dhe sigurinë publike, etj.    Me gjithë arritjet e deritanishme ky departament do të insistojë në rritjen e numrit të auditimeve “financiare”, kryesisht në “Certifikimin e pasqyrave financiare” ato të “Teknologjisë dhe Informacionit” me objektiv përmirësimin dhe ngritjen cilësore të tyre, kjo në sajë edhe të trajnimeve të realizuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe rekrutimeve të reja me integritet dhe profesionalitet të lartë.Departamenti i Auditimit të Performancës në datën 22 dhjetor 2015, në bashkëpunim të ngushtë me Rektoratin e Universitetit Politeknik, në Tiranë, organizuan analizën vjetore të punës së departamentit në formën e një workshop-i, i cili adresoi çështje të rëndësishme të zhvillimit të këtij auditimi risi jo vetëm në Kontrollin e Lartë të Shtetit, por në krejt administratën publike shqiptare. U prezantuan dhe diskutuan ide mbi cilësinë dhe numrin e auditimeve të realizuara ndër vite, duke theksuar rritjen progresive të këtij auditimi në periudhën 2012-2015. U debatuan çështje të metodologjisë audituese, ndërtimit të një piramide pyetjesh me fokus riskun e aktivitetit publik, teknikave audituese për vjeljen, analizimin, konkludimin dhe raportimin e informacionit, ndarjes së punës dhe respektimit të kalendarit auditues, impaktit në publik dhe palë specifike interesi, konceptimin e këtij auditimi si një projekt dhe jo thjesht si një proces rutinor pune, rritjes e ndikimit në Kuvend dhe qarqe akademike etj.

Anëtarët e departamentit propozuan gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet më të spikatura të auditimeve të kryera gjatë vitit 2015. Të pranishmit diskutuan dhe hodhën ide për përmirësimin e proceseve të punës, shfrytëzimin e kanaleve formale dhe informale të komunikimit për të urbanizuar këtë lloj të ri auditimi në krejt administratën publike, shtimin dhe përmirësimin e trajnimeve për të profesionalizuar më tej kapacitetet departamentale dhe insitucionale. Workshop-in e përshëndetën dhe nderuan me pjesëmarrjen e tyre pedagogë e profesorë të Universitetit Politeknik, gazetarë të kolonës ekonomike, ekspertë të fushave të ndryshme, anëtarë të organizatave joqeveritare, etj. Vlen të theksohet diskutimi i z. Sazan Guri, i cili hodhi ide të vlefshme për auditime potenciale gjatë vitit të ardhshëm, duke shprehur njëkohësisht konsideratat më të larta për punën e deritanishme të departamentit.

Në seancën e fundit të workshop-it u diskutuan planet dhe objektivat për të ardhmen, sfidat për realizimin e tyre dhe rritja e mëtejshme e profilit profesional të departamentit brenda dhe jashtë institucionit. Në datën 23 dhjetor, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Departamenti i Auditimit të Buxhetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme, ka organizuar analizën e veprimtarisë së tij për vitin 2015. Në këtë workshop morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof.Dr.Liman Varoshi, studentë, pedagogë, përfaqësues të administratës vendore, Drejtues të Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive dhe Shoqata e Kryetarëve të Bashkive për Autonominë Vendore, znj. Evis Kushi, deputete e Qarkut të Elbasanit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe përfaqësues të medieve. Kjo analizë kishte për qëllim që treguesit kryesorë të punës së Departamentit të shihen në funksion të objektivave strategjikë institucionalë.

Pas referimeve të audituesve të Departamentit, workshop-i u fokusua në diskutime të lira me audituesit. Workshop-i u organizua në frymën e debatit dhe diskutimeve nga pjesëmarrësit, ku përveç referimeve që bënë audituesit e KLSH,  kishte pyetje dhe diskutime  veçanërisht mbi metodat e auditimit, pyetje të veçanta për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të KLSH, koha dhe efektiviteti i zbatimit të tyre etj. U diskutua gjatë mbi problematikat në procedurat e prokurimit publik, administrimit të aseteve , inventarizimi dhe dokumentimi në bashkitë e reja. Nga të pranishmit u bënë shumë propozime për KLSH-në, të cilat do të jenë objekt i punës gjatë vitit 2016. Zhvillimi  i  analizave në  formën e Workshop-it, prezantimet e auditimeve, diskutimet mbi gjetjet dhe konkluzionet e arritura, si dhe prezenca e pedagogëve dhe studentëve, pavarësia e plotë e mendimit  të tyre i dha një frymë të re zhvillimit të analizës së veprimtarisë së Departamenteve të auditimit të KLSH-së, ku nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve rreth tyre, dolën  në  pah pika të veçanta që kërkojnë përmirësimin e tyre në të ardhmen. Në të gjitha këto analiza krahas  audituesve  të  Departamenteve të Auditimit  morën pjesë drejtues të KLSH-së dhe përfaqësues të medieve kombëtare dhe lokale.

SHKARKO APP