Aulon Kalaja denoncon: Në kalanë e Bashtovës nuk të lejojnë të bësh foto, persona të papërgjegjshëm ushtrojnë shtyrje dhe dhunë verbale
Nga Aulon Kalaja:
SKANDAL:
Në kalanë e Bashtovës nuk të lejojnë as të bësh foto, pasi persona të papërgjegjshëm ushtrojnë shtyrje dhe dhunë verbale.
Vajtja ime sot atje, ishte pa ndonjë qëllim të caktuar. Dëshira për të bërë disa foto në brëndësi të mureve të kalasë, u kthye në mënyrë të papranueshme në një absurd, nga individë të caktuar, të cilët nuk i kisha takuar kurrë më parë.
Kalaja e Bashtovës është pasuri kombëtare, publike, e trashëguar ndër breza dhe firma që ka marë tenderin (të cilën nuk e njoh), nuk mund të sillet me të si pronë private.
Këtë denoncim, duhet t’a shohë Ministria e Kulturës, institucionet e Bashkimit Europian që kanë hedhur paratë për t’a restauruar këtë kala dhe pushteti lokal. Nëse ata nuk reagojnë nga denoncimi publik, do i drejtohem instancave të tjera.
Jo vetëm që nuk kishte asnjë profesionist të fushës për të ndjekur punimet, që është detyrim ligjor, por individët e “fortë” aty, silleshin me trashigiminë kulturore, sikur të ishte objekti i tyre. Hidhnin llaç e gurë pa kriter dhe pa asistencë profesionale të monumenteve të kulturës. Por kjo nuk ishte çështja ime, thjesh u bë aty për aty, krejt rastësisht, pasi nuk kisha as sinjalizime dhe natyrisht më duhet t’a ndjek.
Ndërkohë që unë u prezantova si gazetar, ata nuk u prezantuan fare. Me sa duket ata aluduan se kisha shkuar për të kontrolluar punimet dhe i shtuan dozat e agresivitetit dhe asgjë nuk ishte më normale. Por unë kisha shkuar si vizitor në kala, jo si gazetar. E bëj shpesh në fundjavë. Madje, po sot, vizitova dhe kalanë e Elbasanit, Peqinit, të Petrelës nuk e pashë dot, pasi shkova rreth orës 8 mëngjesit dhe portën e hekurt të kalasë e gjeta mbyllur. Ndërsa një banor i zonës, më tha se kalaja hapej ne 10:00. Gjithësesi, askund në kalatë e sipërpermendura nuk hasa asnjë problem, madje bëra foto sa desha.
Kalatë i dua, jo vetëm se e kam mbiemrin e tillë, por se aty gjej frymëzim.
E çuditshme që pasuritë e trashigimisë kulturore të lihen në dorë të individëve që do të shihni në video. Askund nuk do të ndodhte kjo në Europë.
Imagjinoni kur kjo i ndodh një gazetari, çfarë mund t’i ndodhë një qytetari pa një status të tillë. Në mars vizitova Venecian. Katedralja e “San Markos” ishte në restaurim, por askush nuk më ndaloi të bëja foto, jo vetëm mua, por mijëra turistëve me aparatë dhe telefona.
Së shpejti, do shkoj sërish në kalanë e Bashtovës, për të parë nëse ka ndryshuar diçka nga papërgjegjshmëria që gjeta sot dhe sigurisht për të shijuar një ndër bukuritë e atdheut tim.
(Regjistrimi i videos ka filluar pas momentit kur individi me kapele, më prek me duar dhe më shtyn, pasi nuk e kisha menduar këtë veprim jo-propocional.)