Autobusët kërkojnë ndalesa

Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon nga Ministria e linjës përcaktimin e stacioneve të ndërmjetme. Autobusët e linjave ndërqytetase kërkojnë të ndalojnë në bazë të kërkesave të qytetarëve, por të shmangur gjobat e policisë dhe të task-forcës.

Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon përcaktimin e stacioneve të ndërmjetme për të qenë më afër kërkesave të të gjithë qytetarëve dhe për të mos u penalizuar nga task-forca apo policia rrugore.

Përcaktimi i tyre kërkohet të bëhet sipas kërkesave të qytetarëve por pa prekur as interesin e shoqërive lokale.

Eneo Sulejmani: Stacionet e ndërmjetme kanë disa kritere përcaktimi. E para është nevoja e udhëtarëve për të përdorur këto stacione qëndrimi, aktualisht janë vendosur stacione që de-facto ekzistojnë dhe përdoren nga udhëtarët, por një kriter tjetër kryesor është dhe distanca nga qendra e qyteteve apo terminalet e qyteteve që do të jetë rreth 15-17 km për të mos i prishur punë operatorit vendas.

Problem është dhe konkurenca e pandershme për të cilën Shoqata kërkon nga policia rrugore të veprojë sipas rregullave të qarkullimit rrugor dhe të mos vendosin gjoba me urdhër nga drejtuesit e tyre.

Eneo Sulejmani: U bëj thirrje efektivëve të policisë rrugore që të mos zbatojnë urdhrat apo udhëzimet e drejtorëve, por të zbatojnë kodin rrugor. Sepse për gjobat e paligjshme që ata vendosin të pabazuara në ligj do të përgjigjen personalisht, deri dhe në ndjekje penale.

Gjatë prezantimit të draftit për përcaktimin e stacioneve të ndërmjetme u diskutuan edhe probleme të tjera të transportit ku vëmendjen kryesore e morën linjat e paligjshme.

SHKARKO APP