Autostrada Milot-Fier, cinizmi i Bushatit: Kujt i duket e shtrenjtë tarifa 0.75 euro, të përdorë rrugën aktuale
0.75 euro do të duhet të paguajë çdo automjet që do të kalojë në autostradën Milot-Fier.
Por deputeti socialist, Ervin Bushati, thotë se cilitdo që kjo tarifë i duhet e shtrenjtë do të mund të përdorë rrugën aktuale.
Bushati: Ne kemi disa lloj mundësish si mund ti ndërtojmë këto rrugë, njëra është të rrisim borxhin dhe limitet i kemi të kufizuara aq më tepër që tani duhet të marrim borxh për të ringritur ekonominë, ose të rrisim taksat që ne nuk duam ta bëjmë, ose të bëjmë që ai që e përdor më shumë ta paguajë. Patjetër që do të ketë rrugë alternative. Ata që duan të arrijnë më shpejt do të mund të kenë një vlerë të shtuar. Nëse mendojnë se është e shtrenjtë rruga mund të përdorin rrugën që është sot.
Projekti është kundërshtuar nga opozita, e cila akuzon se vlera e investimit është 11 herë më e lartë nga realja.
Por Bushati për Ora News, thotë se opozita kundështon çdo vepër infrastruktore qoftë ky investim i qeverisë apo bashkive.
Për çdo pretendim për abuzime, Bushati thotë se opozita është e lutur tu drejtohet organeve të drejtësisë.
Bushati: Më thuaj një vepër që nuk ka kundërshtuar opozita. Opozita e Shqipërisë është kthyer në një opozitë komunale. Nuk jemi të detyruar ti përgjigjemi çdo akuze, nëse mendon se këtë do ta ketë kauzë politike mund të marrë vota. Opozita kundërshton çdo lloj vepër infrastrukturore në Shqipëri.Nëse mendon se këtu ka thyerje të procedurës ligjore apo abuzime është e mirëpritur ti çojë në prokurori dhe gjykata. Për sakohë i mban si çështje politike mesa duket nuk e ka me të vërtetë.
Deputeti socialist thotë se çdo investim është një vlerë e shtuar për ekonominë, në kushtet e një krizë globale për shkak të pandemisë, e cila sipas tij mund të zgjasë edhe më shuma nga çfarë parashikojnë ekspertët e ekonomisë.
Bushati: Infrastruktura në Shqipëri është e mangët në krahasim me vendet ku ne aspirojmë të jemi, aq më tepër në kontekstin e një krizë globale pandemie çdo investim në infrastrukturë jo vetëm që është një kthim i sigurt për ekonominë është dhe një impuls rritje ekonomike dhe financimi për një situatë ku çdo lloj financimi në ekonomi është i mirëpritur. Jo vetëm kjo rrugë por edhe shumë investime të tjera në infrastrukturë tani e kanë mundësinë të sillen në jetë, përveç fondeve të rindërtimit.
Kjo krizë ekonomie globale e shkaktuar prej pandemisë mund të ketë një vazhdimësi më të gjatë nga çfarë ne parashikojmë.Këto investime duhet të fillojnë sa më shpejt që të rritet ekonomia, të mbahen njerëzit në punë, të futen njerëzit në punë, dhe të ketë para në treg. Me shpresë në momentin që ne do të jemi gati për më shumë turizëm, për më shumë ekonomi dhe aktivitet të zhvilluar financiar dhe ekonomik këto vepra mund të jenë dhe gati.
Në shtator të këtij viti Ministria e Infrastrukturës do të hapë ofertat që kompanitë do të paraqesin për ndërtimin e autostradës Milot-Fier.
Ky aks propozohet të jepet me një koncesion prej 35 vitesh. Në të dhënat e qeverisë parashikohet dhe fluksi i automjeteve që do të qarkullojnë, por nëse kjo nuk arrihet fituesi do të ketë garancinë e shtetit për të mbuluar humbjet në gjysmën e parë të kontratës.
Më konkretisht në materialin zyrtar parashikohet një fond prëj 121 milionë euro që do të jepet për koncesionarin për 17 vitet e para duke nisur prej vitit 2024 deri në vitin 2040. Të ardhurat bazë në këtë periudhë janë parashikuar të jenë 1.7 miliardë euro.
Por megjithatë kjo është garancia maksimale, pasi një nga kriteret kryesore që do të jetë në përzgjedhjen e fituesit do të jetë skema se kush do kërkojë më pak garanci nga shteti.
Ofertat do të mbyllen në 28 shtator dhe më pas komisioni do të shqyrtojë dosjet e paraqitura.