Aviacioni Civil Italian pezullon licensën e kompanisë së fluturimeve ”Fly Ernest”
Pas datës 13 Janar, avionët e kompanisë së fluturimeve “Fly Ernest”, nuk do të ngrihen më në qiell për të fluturuar. Ditën e sotme, Aviacioni Civil Italian ka marrë këtë vendim nisur nga vonesat e shumta të avionëve të kësaj linje që përshkojnë linjat ajore Shqipëri-Itali si dhe Shqipëri-Ukrainë.
Në motivacionin për pezullimin e kontratës, Aviacioni Civil Italian, shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre pa i dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshmërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për ditë të tëra, duke humbur prenotimet, por edhe takime të rëndësishme pune.
Ndonëse licenca e tyre është pezulluar prej ditës së sotme, avionët e “Fly Ernest” do të vijojnë punën për shkak të biletave të shitura deri në datë 7 janar drejt Ukrainës dhe deri në 13 Janar drejt shtetit italian. Tashmë ajo nuk ka më të drejtë të shesë bileta dhe deri në 13 janar do të jetë në monitorim për sjelljen që do të bëjë ndaj pasagjerëve.