Avokati i Popullit: Ndaj Enea Ftoit nuk u ushtrua dhunë
Avokati i Popullit ka dalë në përfundimin se ndaj Enea Ftoit nuk është ushtruar dhunë në ambientet e komisariatit të Korçës, aty ku 27-vjeçari ndërroi jetë. Familjarët e tij akuzuan për dhunë policët por në hetimin e Avokatit të Popullit thuhet se Ftoit i ka pushuar zemra.
”Ndaj Enea Ftoit nuk është ushtruar dhunë fizike. Janë respektuar të drejtat ligjore gjatë veprimeve të kryera nga policia lidhur me orën e arrestimit, sigurimin e mbrojtësit, njohja me të drejtat etj. Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton qe shkaku i vdekjes se 27 vjeçarit ka qenë, ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës, me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit, sëmundje kronike të mushkërive dhe prezencë të produkteve narkotike”.
Nga ana tjetër, në raport thuhet se në ambientet e dhomave të sigurisë nuk funksionojnë pajisjet audio-vizive. ”Nga hetimi i Avokatit të Popullit rezulton se në ambjentin e dhomave të sigurisë të Komisariatit të Korçës, sistemi për kontrollin, monitorimin dhe regjistrimin me anë të pajisjeve audio-vizive, të veprimve të punonjësve të policisë, që kryejnë me të arrestuarit/ndaluarit, marrjen në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, nuk funksionojnë prej disa muajsh. Gjithashtu, në dhomën e marrjes në pyetje të të arrestuarve/ndaluara, nuk janë instaluar kamera, edhe pse kjo parashikohet në ligje dhe rregulloret përkatëse”.
Por Avokati i Popullit, ka zbuluar se rolin e një mjekun e kryen një infermier, që sipas raportit, nuk ka aftësinë profesionale për të trajtuar problemet shëndetësore të të ndaluarve. ”Megjithese ligji parashikon që kontrolli mjekësor i të arrestuarve/ndaluarve kryhet nga mjeku apo ndihmësmjeku i Komisariatit. Në Komisariatin e Korçës, këtë detyrë e kryente një infermier, që sipas vleresimit te Avokatit te Popullit, nuk ka aftësinë profesionale të konstatimit apo trajtimit të probleme shëndetësore të të ndaluarve”.
Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj të këtij viti në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte pasi ishte ndaluar për vjedhje me dhunë. Ftoi ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij. Ndonëse familjarët e prisnin atë në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë. Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda, për policinë, pasi kanë dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, që i ka shkaktuar edhe vdekjen.
KOHA JONË SONDAZH

