Avokati i Popullit-qeverisë: Përfituesit nga rimbursimi janë shumë pak në krahasim me të prekurit nga Covid-19
Avokati i Popullit i ka kërkuar qeverisë ”Rama 2”, që të ndërmarrë hapa të shpejtë për t’u mundësuar qytetarëve të prekur nga Covid-19 mbështetje të mjaftueshme dhe pa diskriminim me barna dhe shërbim shëndetësor, konform ligjeve në fuqi.
Nga ana tjetër thuhet se numri i përfituesve ka qenë tepër i ulët krahasuar me shkallën e gjerë të prekjes së popullatës nga kjo sëmundje, pavarësisht miratimit të paketës së trajtimit Covid-19 ambulator në banesë të të prekurve nga virusi vdekjeprurës.
Në një rekomandim adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, Avokati i Popullit ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zgjerimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19, duke përfshirë në të analizat laboratorike dhe ekzaminimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.
Avokati i Popullit ka kërkuar që të përfshihen në kategorinë e përfitimit të trajtimit të sëmundjes edhe individët e diagnostokuar me Covid-19, për periudhën mars-nëntor 2020.
”Në një tjetër pikë, institucioni më i madh i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, ka kërkuar nga autoritetet shëndetësore për garantimin e ofrimit pa asnjë diskriminim të shërbimit shëndetësor-paketë barnash, duke mos e kufizuar atë vetëm për pacientët e konfirmuar pozitivë me tampon nga institucionet shëndetësore publike por duke e ofruar atë për të tërë pacientët e diagnostikuar me këtë sëmundje infektive pavarësisht mënyrës së kryerjes së ekzaminimit apo institucionit shëndetësor kur është kryer ai”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, i cili vëren se numri i përfituesve është jashtëzakonisht i vogël në raport me numrin e të infektuarve.