Avokati i Popullit, rekomandim Kuvendit për ligjin e Dosjeve

Avokati i Popullit, Igli Totozani, deklaroi ditën e sotme se javën tjetër do të dërgojë një rekomandim në Kuvendin e Shqipërisë për Ligjin e Lustracionit, si një domosdoshmëri për reflektim dhe pastrim nga e kaluara, që garanton rritje morale dhe shpirtërore për shoqerinë tonë në të ardhmen. Kjo do të pasohet sipas tij, edhe nga nisma të tjera që shoqërojnë zbatimin e tij dhe garantojnë një ndarje reale nga krimet e së kaluarës.

“Ne do të rekomandojmë hartimin e një ligji për Lustracionin jo si ndonjë shenjë hakmarrje, por viktimat e komunizmit dhe familjarët e tyre, kanë nevojë dhe meritojnë Drejtësi Morale dhe Ligjore”, tha Totozani.

Sipas tij, politika duhet të shprehë vullnet për këtë çështje, duke dëgjuar më shumë zërin e qytetarëve. Avokati i Popullit, i mbështetur edhe nga pjesmarrës në këtë aktivitet, tha se janë me dhjetra rekomandime të dërguara në institucionet shtetërore për ish të përndjekurit politikë, të cilat kanë mbetur pa përgjigje.

Një gjë të tillë ai e konsideroi mungesë serioziteti në trajtimin e shqetësimeve dhe problemeve me të cilat jeton kjo shtresë e shoqërisë sonë. Në këtë aktivitet morën pjesë dhe diskutuan ish të përndjekur politikë, diplomatë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore . Shumë prej ish të përndjekurve treguan eksperiencat e tyre personale, për vuajtjet në kampet e internimit dhe burgjet e regjimit komunist, për trajtimin çnjerëzor dhe genocidin masiv. 

 

SHKARKO APP