Avokati i Popullit takim me një përfaqësi të banorëve të Astirit: Mungesë e plotë e transparencës për projektin
Nisur nga dinamika e ngjarjeve ne zonën e Astirit, institucioni i Avokatit të Popullit organizoi në datën 21.11.2019, një takim me një përfaqësi të komunitetit të banorëve të kësaj zone, për zhvillimet më të fundit që lidhen me ndërtimin e kësaj pjese të Unazës së Re, të qytetit të Tiranës.
“Institucioni i Avokatit të Popullit u përfaqësua në këtë takim nga Komisioneri i Seksionit të Administratës, Erjona Bana (Canaj) dhe disa ndihmëskomisionerë të këtij seksioni, si dhe nga Drejtori i Kabinetit Enio Haxhimihali dhe dy këshilltarë. Përfaqësia e komunitetit të banorëve të zonës Astirit përbëhej nga 8 banorë. Që në fillim të takimit banorët shprehën shqetësimin për dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në datën 12.11.2019, si dhe mospajtimin me procedurat e kundërligjshme të ndjekura sipas tyre, nga ana e organeve dhe institucioneve përgjegjëse për njoftimin për prishjen e banesave të tyre apo për prishjen e tyre. Mungesa e plotë e transparencës për projektin që po zbatohet në këtë zonë ishte kryefjala e pretendimeve të shprehura prej tyre, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur gjatë takimit ndërhyrjen e Avokatit të Popullit për bërjen publike të këtij projekti dhe të elementëve teknikë të parashikuara shprehimisht në të. Për të gjitha këto shqetësime ata kërkuan zhvillimin e hetimeve të thelluara administrative, nga ana e Avokatit të Popullit.
Nga ana e Komisioneres Bana (Canaj), pas paraqitjes së problematikave nga përfaqësia e banorëve të zonës së Astirit, u bënë me dije të gjitha veprimet dhe hapat e ndjekura nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili e ka ndjekur dhe vazhdon ta ndjekë nga afër situatën e krijuar në këtë zonë. Kësaj përfaqësie iu bë me dije fakti se prej mëse një muaji i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë, një Raport i Veçantë ku janë trajtuar të gjitha problematikat që lidhen me zhvillimet në zonën e Astirit.
Në përfundim u shpreh gatishmëria e institucionit të Avokatit të Popullit, që në ushtrim të mandatit të tij të vazhdojë të ndjekë shqyrtimin e këtyre problematikave nëpërmjet ankesave individuale që janë paraqitur në vazhdim nga ana e këtyre banorëve”, njofton Avokati i Popullit.