Azil në Shqipëri, tani refugjatët e kanë më të lehtë
Shtimi i refugjatëve në Shqipëri dhe përfshirja e tyre në vjedhje, ka detyruar autoritetet të bëjnë ndryshime në ligjin për refugjatët. Projektligji përbehet nga 102 nene, ku pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me procedurat dhe miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare për këtë kategori por dhe dhënien e statusit të refugjatit.
”Ora News” ka zbardhur dokumentin, ku thuhet se shtetasi i huaj apo personi pa shtetësi mund të shprehë qëllimin për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, verbalisht ose në formë të shkruar, në momentin e hyrjes në territorin e Republikën e Shqipërisë, në një pikë të kalimit kufitar, apo në një stacion të Policisë së Shtetit.
Që nga ky moment, autoritetet shqiptare duhet të regjistrojnë kërkesën brenda 3 ditësh, procedurë që mund të zgjasë deri në 10 ditë. Refugjatët duhet të dorëzojnë gjeneralitetet, shenjat e gishtërinjve, dokumentet e udhëtimit nëse i disponojnë. Gjatë kohës që ata janë në proces verifikimi, duhet të qëndrojnë pranë qendrës së azilkërkuesve, por një tjetër lehtësi është dhe fakti që refugjatët mund të qëndrojnë në banesa private me shpenzimet e tyre. Në këtë situatë atyre u lind detyrimi të deklarojnë banesën dhe kontaktet me qendrën e azilantëve.
Një tjetër ndryshim në ligj është dhe funksionimi i qendrës së azilkërkuesve në Babrru. Qendra ka të drejtë të kufizojë lëvizjet e refugjatëve, kur ka dyshime për identitetin e tyre, nuk respektojnë rregullat, ndërsa si masë e fundit është akomodimi në Qendrën e Mbyllur për të Huaj, që ndodhet në Karreç. Projektligji i ri flet për lehtësi për emigrantët, strukturat për çështjet e azilit dhe refugjatëve kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare apo statusin e azilantit.