Azilantët nga Siria në Shqipëri: Këtu na grabitën, duam të ikim në BE

Refugjatët apo dhe azilantët nga Siria, ndonëse janë në det të hapur, shohim Shqipërinë si rrugën e artë të kalimit drejt vende të BE-së. Adil dhe Badër janë dy emigrantë sirianë nga Aleppo, të cilët prej një muaji po qëndrojnë në qendrën e pritjes së azilkërkuesve në Tiranë. Badëri, 18-vjeçar, humbi prindërit nga bombardimet në Aleppo, teksa nga frika e luftës, bashkë me shokët e tij mori rrugën për në Europë.

”Kam bërë mbi 800 km rrugë në këmbë, kam kaluar kufirin nga Siria në Turqi, pastaj kemi përshkuar gjithë Greqinë. Në Korçë kemi kaluar kufirin me këmbë dhe ja ku jam”. Shqipëria nuk i ka lënë shije të mirë 18-vjeçarit, pasi pak ditë më parë, ai u grabit nga një grup djemsh, të cilët e dhunuan dhe i morën 70 euro, kursimet e fundit që i kishin mbetur. ”Më panë lekët te dyqani që isha dhe më thirrën jashtë, aty më kanë rrahur rreth 10 veta dhe më morën dhe lekët e fundit që kisha”.

Goditjet i kanë lënë pasoja të riut nga Aleppo, i cili për shkak të dhunës çalon nga njëra këmbë, ndërsa ka dhe vështirësi në frymëmarrje. Edhe pse kanë kaluar disa ditë, Badëri nuk ka mundur dot të shkojë në spital.  Refugjatët që po ikin nga Turqia drejt Greqisë por që Athina i ka mbyllur kufijtë dhe po i dhunon, mund të shohim Shqipërinë si rrugën e artë të shpëtimit për kalimin drejt vende të BE-së. Sipas zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda në rast krize është parashikuar të merren masat e nevojshme.

”Deri tani nuk kemi shqetësime, sigurisht që kemi flukse, por në nivele normale. Përveç bashkëpunimit me Frontex, ne kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me policinë kufitare greke me të cilët patrullojmë së bashku herë pas here. Ministria e Brendshme, në rast të një krize ka edhe një plan kontigjence, i cili është konsultuar edhe me organizatat ndërkombëtare”.

Gjatë vitin 2019 në Shqipëri hynë ilegalisht 11.890 emigrantë të huaj, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. Trendi i kësaj shifre duket edhe në 2 muajt e parë të 2020-s, ku grupe klandestinësh janë aksidentuar ose kanë rrezikuar të mbyten duke përdorur si transit territorin shqiptar. Destinacioni i tyre janë vendet e Bashkimit Europian.

SHKARKO APP