Babai humbi jetën në minierë, familja pa shtëpi kërkon ndihmë
Minatori që humbi jetën dy ditë më parë në një aksident tragjik në një minierë private në Bulqizë kishte vetëm pak vjet që e siguronte bukën e gojës nëpër galeritë e nëntokës.
Humbja e parakohshme e Fiqiri Karaj lë mjerim në shtëpinë e tij ku jeton nëna, bashkëshortja dhe tre vajzat e tij njëra prej të cilave kërkon kujdes të veçantë shëndetësor. Familja siç tregojnë të afërmit jeton në një dhomë në kushte të mjerueshme ndaj i duhet ndihmë.
49-vjeçari Fiqiri Karaj ishte kthyer nga emigracioni ne vitin 2014 dhe prej atëherë ndërronte minierat në kërkim të një pune të qëndrueshme deri ditën kur shkelja e rregullave në punë e çoi drejt vdekjes.
Për ngjarjen u arrestua armatori i minierës dhe po ndiqet penalisht edhe brigadieri, si persona që duhet të kontrollonin gjendjen teknike të galerisë. Drejtësia vetëm sa do të lehtësojë pak dhimbjen e familjes Karaj e cila sot nuk ka as shtëpi.