Babai i Martin Canit merr sendet personale: Shkolla nuk na informoi për sherrin

Vrasja e Martin Canit nuk është mbyllur. Mësohet se është pyetur për herë të parë nga hetuesit babai i 14-vjeçarit. Engjëll Cani, para OPGJ-ve të Prokurorisë së Tiranës ka deklaruar se nuk kishte dijeni për sherrin mes fëmijëve dhe nuk është vënë në dijeni nga shkolla. Sipas Canit, kjo mund të kishte parandaluar ngjarjen.

Babai i 14-vjeçarit rrëfeu para hetuesve se vetëm ditën e ngjarjes, shkolla telefonoi gruan e tij teksa ajo ndodhej në punë dhe më pas nuk iu përgjigj njeri paçka insistimit për t’u lidhur me stafin për të mësuar më shumë. Engjëll Cani u tha oficerëve të policisë gjyqësore se vdekjen e të birit e mësoi kur mbërriti në Spitalin e Traumës. Edhe pse kanë kaluar 3 javë nga ngjarja e rëndë, Cani deklaron se në shtëpinë e tij nuk ka shkuar njeri apo kontaktuar nga familja e autorit të dyshuar.

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, sot babait të 14-vjeçarit iu kthye çanta me librat e të birit, që ishin sekuestruar më herët nga policia. Sherri mes të miturve ndodhi në 18 Nëntor, rreth 200 metër larg shkollës “Fan Noli”, konflikt që kishte nisur disa ditë përpara. I mituri ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, ndërsa i plagosur mbeti edhe shoku i tij. Ky i fundit është dërguar për kurim në Itali.

SHKARKO APP