Babai i saj ishte infektuar kur u largua në Itali! Mjekja shqiptare tregon kur e kuptoi që kishte bërë veprimin e duhur

Ajo i njoftoi prindërit që do nisej në Itali vetëm dy ditë para me një video-telefonatë pasi sipas saj, “miqtë, kolegët dhe prindërit e dinin se ishte zgjedhja e duhur”.

Mjekja shqiptare, Ornela Gelaj, është pjesë e 30 mjekëve dhe infermierëve nga Tirana që shkuan për të ndihmuar kolegët e tyre italianë në luftën ndaj COVID-19.

Kur vendosi të largohej për në Itali, babai i saj, mjek në spitalin e Durrësit, ishte në karantinë pasi ishte infektuar.

“Unë i komunikova prindërve zgjedhjen time dy ditë para nisjes, nuk duhet të ketë qenë e lehtë, por pastaj u kujtova atyre se kush isha, çfarë misioni jetësor që kisha zgjedhur dhe sa e dua Italinë. Përpiquni të bëni më të mirën në Itali dhe kthehuni të shëndetshëm ishin fjalët e prindërve”, shprehet mjekja shqiptare.

Më 29 mars, së bashku me 29 vullnetarët e tjerë midis mjekëve dhe infermierëve, mjekja zbarkoi në Fiumicino për të sjellë ndihmë dhe afërsi në “vendin më të bukur në botë”, siç e quante ajo.

Në një intervistë për “Corriere.it”, Ornela tregon historinë e saj me sy që buzëqeshin në vend të gojës, të fshehur nga maskë që ajo ka veshur me ditë të tëra.

“Këtu ka kolegë shumë të mirë dhe me përulësi kemi ardhur për të ofruar mbështetjen profesionale që u nevojitet tani, por jo vetëm. U ngjita në aeroplan duke menduar ‘Ju nuk jeni vetëm’, ​​afërsia dhe ngrohtësia e njeriut për momentin janë thelbësore jo vetëm për pacientët, por edhe për të gjithë punonjësit e shëndetit që po i shoh të lodhur këto ditë “, tha Ornela.

Ornela shprehet se kur një pacient shërohet dhe del nga spitali i Brescias, “i themi njëri-tjetrit duke buzëqeshur ‘Shihemi së shpejti, por largohu nga këtu!”, ndërsa nuk harron të shtojë se “Këtu gjërat duket se do të shkojnë më mirë, por është e rëndësishme të mos dorëzoheni”.
Që kur ka mbërritur në Itali, Ornela thotë se nuk ka pasur kurrë frikë, ndjenja më e fortë që shpesh herë e sulmon është ajo e emocionit.
Sapo pa rrugët e Romës, ajo Romë e mrekullueshme që ajo kishte njohur vite më parë, u shfaq “një heshtjeje vuajtjeje” – thotë ajo – “në atë moment emocioni më sulmoi dhe unë e kuptova edhe më shumë sesa e drejtë ishte zgjedhja ime”.

SHKARKO APP