Babai i vrasësit kërcënon gazetarët: Mos filmoni, ua theva kamerat në kokë
Vrasësi i gruas së tij dhe kunatës 18-vjeçare, Gazment Musta ka dalë para Gjykatës së Fierit, në seancën e parë për kujdestarinë e dy fëmijëve të çiftit. Prindërit e dy viktimave kërkojnë kujdestarinë e të miturve por nga ana tjetër janë edhe prindërit e Mustës që kërkojnë të kujdesen për ta.
Seanca u shty pasi përfaqësuesja e fshatit SOS deklaroi se fëmijët duhet të intervistohen vetëm në prani të psikologes, dhe jo të familjarëve apo të babait të pandehur.
E gjithë seanca nuk ka qenë e qetë. Babai i Gazmend Mustës është treguar agresiv ndaj gazetarëve të pranishëm në sallë, pasi nuk ka dashur që ata ta filmonin të birin. Ai i ka kërcënuar gazetarët se do t’iu thyente kamerat nëse do të vazhdonin ta filmonin.
”Do t’ua marr dhe do ua thyej mu në kokë. O burra filmoni sa është për t’u filmuar”,-është shprehur ai në momentin që i biri shoqërohej nga policia brenda furgonit për t’u transportuar në burg. Seanca e ardhshme u caktua të zhvillohet me dyer të mbyllura, vetëm me prani të avokatëve dhe psikologëve, më datë 12 mars.
KOHA JONË SONDAZH

