Babai vrasës, avokati kërkon ekspertizë për shëndetin mendor
Gjykata greke në Korfuz ka lënë në burg shqiptarin Aleko Petro, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij Anxhelina Petro. Seanca gjyqësore zgjati rreth dy orë dhe i pranishëm ka qenë edhe një avokat i autorizuar nga mamaja e viktimës, ish-bashkëshortja e Aleko Petros.
Avokati mbrojtës i 52-vjeçarit ka kërkuar që klienti i tij të kryejë një ekspertizë të shëndetit mendor, duke argumentuar se Aleko Petro mund ta ketë kryer krimin nën kushte të rënduara psikologjike. I pandehuri pranoi krimin para hetuesve. Me kërkesë të Prokurorisë, trupa gjyqësore e la Aleko Petron në burg deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik mbrëmjen e 2 janarit.
Aleko Petro pas një debati të ashpër me vajzën e tij Anxhelina Petro, e goditi më shumë se 7 herë në kokë me një shufër metalike, duke i shkaktuar vdekjen. Trupin e vajzës 29-vjeçare e varrosi në oborrin e shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur pasi 52-vjeçari nuk pranonte lidhjen e së bijës me një emigrant afgan, i cili është fëmijë i birësuar i një çifti grek. Anxhelina Petro bashkëjetonte me të dashurin e saj afgan prej rreth 13 muajsh.
Ekspertja mjeko-ligjore tha se Aleko Petro e kishte goditur pa mëshirën 29-vjeçaren dhe për të është e pakonceptueshme se si një prind mund të godasë për vdekje vajzën në këtë mënyrë. Anxhelina ka shenja goditjesh pas kokës, por edhe në duar e gjymtyrë, që do të thotë se vajza është mbrojtur instiktivisht nga goditjet e shumta.
KOHA JONË SONDAZH

