“Babalja”, Salianji: Do të paraqes prova të reja
Prokuroria e Tiranës dha disa ditë më parë pretencën për dosjen “Babale”, ku kërkohej 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, ndërsa një tjetër prokuror kërkoi 3 vjet shërbim prove. I ftuar në A2, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, u shpreh se nuk ka asnjë provë deri tani, por vetëm fjalë për pretencën e Prokurorisë. Ai thotë që ndjehet i privilegjuar që është ai targeti në këtë situatë.
“Ndjehem po njësoj, pasi përveç fjalëve nuk ka fare prova. Ndjehem edhe më i vlerësuar pasi jam targetuar unë në të gjithë këtë situatë apo në këtë korrupsion të Shqipërisë në 30 vite, ku zgjidhet një politikan, i cili denoncon dhe padiskutim që përmend dhe turbullon ujëra me emër dhe me mbiemër dhe me fakte konkrete. Në këtë kuptim nuk kam asnjë kompleks që ta them ndjehem i privilegjuar. Nesër dhe pasnesër, unë do të paraqes edhe prova të tjera shkencore, që prokuroria i ka devijuar qëllimshëm. Kam qenë deri vonë dje duke punuar në provat e reja”, u shpreh Salianji.
Sipas Salianjit, kjo është një çështje politike e sajuar, dhe nëse ai do të mendojë se nuk do të marrë drejtësi, atëherë thotë se do ta çojë deri në Strasburg. “Unë mendoj se drejtësia do të vendosë të bëjë drejtësi dhe jo padrejtësi si ka bërë në 30 vite. Megjithatë, kjo është vetëm shkalla e parë e gjyqësorit, pasi ka Apel, ka Gjykatë të Lartë, ka Strasburg, prandaj jam shumë i qetë”, tha Salianji.