Baçi: Më 30 qershor nuk do të rrimë në shtëpi, do ta ndalim instalimin e diktaturës

Intervistoi: Herion Mesi

Arrestimi i djeshëm i ish-deputetit demokrat Klevis Balliu vetëm sepse mori pjesë në protestën e banorëve të zonës së “Astirit” të cilët prej më shumë se 7 muajsh vijojnë qëndresën e tyre në mbrojtje të banesave që iu rrezikohen nga projekti “i dyshimtë” i zgjerimit të Unazës së madhe të Tiranës, ka krijuar një shije të hidhur jo vetëm në radhët e politikës shqiptare, veçanërisht opozitës, por edhe të opinionit publik, i cili tashmë e cilëson këtë si një akt paralajmërues për instalimin e një regjimi autoritar nga kryeministri Edi Rama.

Por represioni ndaj ish-ligjvënësve që dogjën mandatet e tyre të deputetit është një fenomen që po agravohet nga dita në ditë tashmë prej 3 muajsh.

Një prej “viktimave” të terrorit policor është edhe Luan Baçi, ish-deputet i Partisë Demokratike, i cili rrëfen për “Koha Jonë” ndalimin e tij dhe të djalit të tij, Bruno,  pas protestës së zhvilluar më 16 mars nga opozita, ku policia do të niste ndalimet e organizatorëve dhe personave që sipas tyre kanë kryer “akte të dhunshme” në protestë.

Duke marrë shkas nga precedenti i tij, Baçi e cilëson arrestimin e Balliut, si një akt në përpjekje për të futur frikën tek qytetarët që i bashkohen protestave të opozitës. Por, thotë Baçi, e gjithë kjo do ti kthehet Ramës në bumerang, pasi opozita nuk do të ndalet deri në çmontimin e asaj që ai e quan klikë kriminale që po qeveris vendin.

Në rrëfimin e tij, Baçi jep dhe detaje nga seancat pyetësore që policia zhvillon në komisariate me të ndaluarit në protestat e opozitës.

Intervista

Z. Baçi, në kuadër të mosbindjes civile, të shtunën do jeni para Kryeministrisë, në atë që quhet protestë kombëtare. Në cilësinë e kryetarit të PD-së në Fier, si do organizohet protesta në Fier, dhe si është situata në Fier? Konkretisht, çfarë kërkojnë fierakët?

Partia Demokratike duke filluar nga 16 shkurti dhe në vazhdim, ka qenë dhe vazhdon të jetë, çdo ditë në protestë. Protesta mbarëkombëtare të organizuara në Tiranë, para Kryeministrisë, protesta para parlamentit, si dhe protestat në çdo qark, në mosbindjen civile, të përshkallëzuar tashmë, në paralizim të transportit në akset kryesore të rrugëve. Në këtë kuadër, Fieri ka qenë vërtetë ndër qarqet shumë aktiv në këto situata jo normale që po kalon vendi ynë. Unë do ta korrigjoja termin “bllokim rrugësh”, pasi ne nuk bllokojmë rrugët, nuk bllokojmë qytetarët! Po të vini re, janë vetë qytetarët ata që bashkohen masivisht me ne në rrugë! Vlen të përmendim këtu dhe qytetarët që në ato momente janë në udhëtim me mjetet e tyre, dalin dhe protestojnë bashkë të gjithë. Kjo është kauzë e gjithë qytetarëve. E tillë është situata në Fier, e tensionuar, me qytetarë të revoltuar, të zhytur në skamje, në papunësi, kjo është edhe arsyeja pse protestat janë në numër të konsiderushëm dhe masive. Për protestën e 11 majit, tashmë ne kemi një përvojë të gjatë, dhe pas çdo proteste, kemi parë masivitet akoma më të madh: shumë të rinj, shumë zonja dhe familjarë, që i bashkohen protestës. Lëvizja më së shumti kryhet me mjetet private të vetë qytetarëve, janë rreth 400 autovetura, katër- pesë vendëshe, që vihen në dispozicion të lëvizjes së qytetarëve, si dhe autobuzë dhe mikrobuzë, 25 deri ne 30 vendësh, që stacionohen, para zyrave të PD Dega Fier, të gatshëm për çdo qytetar fierak që nuk e gjënë mundësinë, e transportit me autovetura. Po kështu është organizuar edhe këtë radhë, rreth orës 14 e 30 minuta deri në orën 15:00, do të bëhet grumbullimi para zyrave të PD Fier dhe nisja drejt Tiranës. Duke mos llogaritur këtu dhe shumë të tjerë që udhëtojnë drejt Tiranës një ditë para protestës. Fierakët, ashtu si gjithë shqiptarët, kërkojnë të drejtat e tyre. Kërkojnë punë, pasi është ndër qytetet me papunësinë më të lartë. Kërkon ulje të çmimit të energjisë, pasi është më e larta ne rajon, pavarësisht se jemi një vend me burime hidro- energjetike shumë të mëdha. Kërkojnë, ulje të çmimit të ujit dhe heqje të faturave afrofe, si dhe ujë të pijshëm 24 orë. Kërkon tarifa të ulëta për fëmijët e tyre studentë. Kërkojnë që fëmijët e tyre të gjejnë punë këtu dhe të mos largohen nga vendi. Kërkojnë siguri dhe qetësi për familjet e tyre. Kërkojnë respekt dhe dinjitet. Të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, bëjnë që protestat të jenë masive, ku bie në sy dhe pjesëmarrja e shumë qytetarëve, të pa angazhuar politikisht dhe shumë votues të majtë, të zhgënjyer tashmë dhe që kanë kuptuar me dhimbje se mazhoranca e sotme, “Rilindja” e Ramës, është përfaqësuese e një grupi njerëzish të korruptuar, që pasurohen çdo ditë duke vjedhur shqiptarët. Një grup hajdutësh që nuk kanë aspak lidhje edhe me socialistët e ndershëm, që po vuajnë njëlloj si të tjerët.

Z. Baçi, duke marrë shkas nga ajo që ndodhi dje tek zona e “Astirit”, ku policia nuk kurseu as banorët, por as ish-deputetët e opozitës, a keni frikë nga arrestimet siç ndodhi me kolegun tuaj Klevis Balliu?

Ish-deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi dhe i biri Bruno në protestën e 16 marsit

Frikë nga arrestimet?!  Është më se e drejtë pyetja juaj; policia politike tashmë e Ramës po vepron në mënyrë krejt të paligjshme. Pas çdo proteste, si hajdut ordiner, dhe me mllef militanti, drejtues policie, pas mesnate, “gjuajnë” në çdo shtëpi, banesë dhe lokale, qytetarë që kanë qenë në protestë, i shoqërojnë, i arrestojnë, i intimidojnë, i mbajnë me orë të tëra në komisariat. Pas çdo proteste e kanë bërë këtu në Fier. Edhe sot kemi qytetarë fierakë që janë në birucat e komisariatit të policisë, kemi nga ata që janë nën hetim, që janë me “detyrim paraqitje” dhe nga ata që janë akoma në kërkim. Pra, vazhdojnë në mënyrë të turpshme presionin mbi qytetarët, dhe këtë e bëjnë në vazhdimësi. Vlen të theksohet se pyetjet e tyre janë të pa imagjinueshme për një polici profesionale. Si psh:  Pse del në protestë? Kush ju organizon? A ju thonë të shani kryeministrin? A e dini që do veni në burg tani? Në qoftë se ju falim këtë radhë, na jepni fjalën që nuk do dilni më në protestë? E të tjera banalitete të tilla, të një policie mediokre, të politizuar dhe të korruptuar, krerët e tyre të kuptohemi në këtë pikë. Një gjë po ju a bëjmë të qartë: Këtu në Fier – Kemi identifikuar çdo oficer policie, dhe drejtues të çdo rangu, që me sjelljen e tyre, kanë cenuar rëndë, figurën e punonjësit të policisë dhe kanë dëmtuar padrejtësisht qytetarët fierakë, dhe i garantoj se do të përgjigjen para ligjit. Dhe kjo ditë është shumë afër tashmë, por atyre ju ka zënë sytë paraja e kanabisit dhe e korrupsionit. Tërbimi i tyre arrin deri aty sa të ndalojnë edhe deputetin Balliu, pa kurrfarë shkaku, por vetëm për të futur frikën të gjithë ne të tjerëve. Ashtu siç bënë me mua, para disa kohësh dhe me djalin tim, pse vetëm filmonte veprimet e tyre abuzive dhe aspak profesionale. Ne bumerang po u kthehet dhe do të vazhdojë akoma më fortë, ne nuk do ndalemi deri në çmontimin e kësaj klike, tashmë më të korruptuarën e planetit.

Opozita kërkon largimin e Edi Ramës nga kryeministër si i vetmi kusht për nisjen e bisedimeve me mazhorancën. Por si do realizohet ky objekt i opozitës?

Po, ne kërkojmë largimin e Edi Ramës dhe ai duhet të largohet dhe do të largohet. Negociata me Edi Ramën kryeministër e ka thënë shumë qartë Kryetari i PDSH, z. Basha, nuk do të ketë.

Zgjedhje në 30 Qershor, pa opozitën?! 30 qershori se si po shkojnë punët duket që nuk do të ketë negociatë. Ndërkombëtarët nuk do të jenë. Tani elektorati i PS-së do shkojë të votojë, dhe i opozitës jo. A mund të themi që përplasja është pashmangshme?

As që bëhet fjalë, ne nuk do të lejojmë një grusht horrash, hajdutësh dhe të korruptuar të uzurpojnë të gjitha pushtetet dhe të rivendosin diktaturën. Jo, ne nuk do të bojkotojmë, nuk do të rrimë në shtëpi, me ne do të jenë në sheshe dhe në rrugë të gjithë qytetarët e ndershëm, që nuk duan diktaturën e Edi Ramës; të gjithë ata që janë pa punë, të gjithë ata që kanë fëmijët rrugëve të botës; të gjithë ata që ndihen të kërcënuar nga krimi dhe korrupsioni; të gjithë ata që nuk jetojnë dot në këtë vend. Të gjithë këta bëhen shumë, shumë më shumë se ata që duan, ndoshta, të venë të votojnë, për të ruajtur statusquon e hajdutëve në pushtet, dhe si të tille, duke qenë se janë shumë pak, detyrimisht nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje pa shumicën e popullsisë, dhe ne jemi shumicë sot.

SHKARKO APP