Baçi shoqëroi Salianjin në burgun e Fierit: Kushdo nga deputetët mund të ishte në vendin e tij
Deputeti i PD-së, Luan Baçi ka qenë i pranishëm pranë burgut të Fierit dhe priti Ervin Salianjin. Baçi dha një prononcim për mediat, ku ka theksuar se sipas tij, Salianji është i dënuar politik nga mazhoranca dhe kryeministri Rama.
Deputeti demokrat në Fier ka thënë se do të jenë në mbështetje të Salianjit gjatë periudhës që ai do të kryejë dënimin në burg. Për të Rama kishte informacione të hollësishme se si po ecte procedura gjyqësore ndaj Salianjit teksa pretendon se kryeministri e dinte vendimin që do të merrte Apeli në lidhje me ish-deputetin demokrat.
”Në burgun e Fierit sot vjen një kolegu im, një miku im, deputet i PD-së, i dënuar politikisht nga kjo mazhorancë dhe nga ky kryeministër. Do të jemi pranë tij dhe në krah të tij, struktura e Fierit do të jenë në afërsi të tij, është detyrimi ynë, do të jemi në krah të tij. Kushdo nga deputetët mund të ishte sot në vendin e Salianjit.
Deputeti Salianji, përveç se ka bërë një denoncim të qartë dhe të kthjellët, që u vërtetua që ishte mëse i vërtetë se denoncoi vëllain e ish-ministrit Xhafaj dhe pas denoncimit të Salianjit, vëllai i Xhafajt iku në Itali për të kryer dënimin e mbetur pezull.
Atëherë, çfarë mund të themi që Ervin Salianji është një i dënuar me të drejtë nga drejtësia? Është një i dënuar politik, është një goditje që i bëhet opozitës dhe PD-së në vazhdimësi nga kjo mazhorancë dhe nga ky kryeministër. Unë do të jem këtu në mbështetje të Salianjit”.