Balla: Bashkimi Europian nuk do ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor në këtë situatë të vështirë
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaron se Bashkimi Europian nuk do ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor në këtë situatë të vështirë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ Balla theksoi se është informuar nga Zëvendës Presidenti Andrej Kovatchev mbi vendimin e Grupit të PPE në Parlamentin Europian për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat e BE për përballimin e pandemisë së Covid-19.
REAGIMI I BALLËS
Bashkimi Europian nuk do ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor në këtë situatë të vështirë.
Sapo jam informuar nga Zëvendës Presidenti Andrej Kovatchev mbi vendimin e Grupit të PPE në Parlamentin Europian që mbështet kërkesën e Komisionerit të Zgjerimit Várhelyi për “mobilizimin e mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor përmes IPA, fleksibilitet të rregullave të ndihmës shtetërore, dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Qendrën Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC). Gjithashtu Grupi i PPE i kërkon Bashkimit Europian “të punojë me institucionet financiare të gjejnë mjete dhe mundësi për të financuar” vendet e Ballkanit Perëndimor.
Tre ditë më parë edhe grupi i S&D u shpreh në favor të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat e BE për përballimin e pandemisë së Covid-19.