Balla: Deputetët e Foltores ikën nga Kuvendi sepse kuptuan që ia futën kot! FBI-në se kontrollon dot as Biden
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, thotë se deputetët e grupit të Berishës janë larguar nga salla e Kuvendit pasi e kanë kuptuar që “ia kanë futur kot” me çështjen ”McGonigal”, që sipas tij nuk ka lidhje me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare. Po Balla tha edhe se Berisha po mundohet të mbajë opinionin publik te Big Brother-i i McGonigal, për të shmangur vëmendjen nga çështjet e tjera dhe për t’i bërë presion drejtësisë. Balla thekson se askush nuk e kontrollon dot FBI-në.
”Foltoristët kanë ikur, udhëheqësit e grupit parlamentar të PD kanë ikur! Kur heqin dorë ata që e kanë iniciuar debatin! Kanë kuptuar që ia kanë futur kot. Shqiptarët kuptuan nga ky mocion, është fakti që lidhur me çështjen McGonigal s’ka asgjë që lidhet me qeverinë shqiptare, me ndonjë shqiptar, dhe s’ka asnjë lidhje me kryeministrin Rama dhe cilindo prej nesh.
Ç’u mbush mali dhe në fund doli vetëm miu i barkut të Saliut, i cili për t’iu shmangur debatit, llogaridhënies publike, për të bërë presion ndaj drejtësisë, për të shmangur vëmendjen nga 21 janari, Gërdeci, privatizimi i CEZ-DIA, mundohet të mbajë opinionin publik lidhur te Big Brother-i McGonigal. Thirrja ime është për Prokurorinë e Tiranës, që duhet të kërkojë qoftë nga gazetari Artan Hoxha, marrjen në dorëzim të atij audio-regjistrimi që është një indicie e forte për të zbardhur një ngjarje e rëndë, që rëndon në radhë të parë mbi drejtësinë shqiptare.
Çështja McGonigal i takon drejtësisë amerikane. Askush të mos i qajë hallin drejtësisë amerikane. Nuk e kontrollon dot FBI-në asnjëri prej nesh, as Joe Biden, dhe tani na qenkësh sipas Syrit të Saliut, apo ndonjë media tjetër, ne kemi marrë FBI-në dhe kemi kontrolluar DASH për atë që i ka ndodhur Saliut! Kryeministri tha e kam takuar në zyrën time në Kryeministri dhe në zyrën e FBI në Nju-Jork. Kryeministri Rama ka qenë në zyrën e FBI, ka qenë lajm. Mos harroni që FBI sot ose prej kohësh asiston Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve të saj. Të bashkëpunosh me FBI-në s’është herezi”,-tha Balla për ”MCN TV”.