Balla: Drejtësia e re shpejt do të merret edhe me politikanë të niveleve të larta
Taulant Balla, deklaroi në “Real Story”, në “News 24”, Se LSI në zgjedhjet e ardhshme nuk i siguron katër mandate deputeti. Ai tha se, koalicionet parazgjedhore, e këtu iu referua marrëveshjes mes PD dhe LSI, i takon KQZ ta vlerësojë, si një noterë në këtë çështje.
Po ashtu, ai tregoi dhe krisjen që ka ndodhur mes PS dhe LSI në 2016. Ndarja e dy partive sipas Ballës ka ndodhur pasi sipas tij, LSI dëshironte të zhbënte Reformën në Drejtësi. Më tej, numri dy i Partisë Socialiste, theksoi se Reforma në Drejtësi nuk ka futur në sitën e saj ende politikanë të rangut të lartë, por sipas tij, shpejt kjo gjë mund të ndodhë.
“Është shumë e qartë që subjekti zgjedhor si forcë e parë në termat e Kushtetutës aktuale, ka të drejtën për nominimin e kandidatit për kryeministër. Unë nuk shoh asnjë problem, i vetmi ndryshim kemi bërë ne është tek mocionet.
Unë po e them në këtë studio që LSI nuk i kalon pesë mandate, mbajeni shënim. Mos ia lodhni mendjen shqiptarëve për këtë çështje. Kushtetuta me ndryshimet e reja, subjektin zgjedhor koalicion-parti e njeh si një subjekt që garon me të njëjtën listë zgjedhore. Noteri i aleancave zgjedhore, është vetëm KQZ-ja. Unë që jam marrë me to, e di si shkruhet një koalicion zgjedhor. Ne nuk kemi nevojë për asnjë negociatë. Në kontekstin aktual të Ilir Metës, ne kemi qenë të gatshëm ta prishnim aleancën me LSI që në 2016 si kusht i panegociueshëm i Reformës në Drejtësi. Meta, Basha, Kryemadhi, janë bërë bashkë për t’i bërë dëm Reformës në Drejtësi. Ajo që dua t’iu them është se lodhen kot, kjo reformë është në një moment të pakthyeshëm. Asnjë politikan nuk e zhbëjnë më këtë reformë kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Kjo po jep frytet e para, nuk kemi parë ende politikanë të niveleve të larta, por kjo nuk do të vonojë, do të vijë shumë shpejt”, tha Balla.