Balla i përgjigjet Metës: Të ndajë pozicionin, President apo lider opozite?
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, foli sot para mediave për tubimin e thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, më 2 mars.
Numri dy i PS tha se asnjë politikan apo individ nuk mund të pengojë dhe bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi sipas tij, e mbështesin 97% e shqiptarëve.
Ka politikanë, apo individë, të cilët harrojnë se halli persona nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për integrim. Prandaj, iu them shumë qartë të mos harxhoni më kohë kotë me transmetime pa fund histori idioteske, grushte e mosgrushte shteti, por do jemi në një moment ku vëmendja do të jetë te procesi i rindërtimit. Duhet të jemi të gjithë së bashku njëlloj si në ato ditë të vështira të pasgoditjes nga tërmeti, për t’u fokusuar te njerëzit që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për solidaritet”, tha Balla.
Më tej, Balla tha se Presidenti është kthyer në një prej aktorëve të lidershipit të opozitës dhe e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend.
“Presidenti aktual i Republikës është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri që Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend. Për këtë, opozita ka lidershipin e saj, madje Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Basha organizon me opozitën, brenda në selinë e PD. Ne kemi dakordësi me PD, lidershipin e saj zyrtar, për të vijuar bisedimet, ose përfshirjen e PD në procesin institucional të draftimit të një kodi zgjedhor. Do vijojë dhe një diskutim për të vlerësuar një kërkesë legjitime të aktorëve të rinj të krijuar në vend, siç është opozita parlamentare, për çështjen e sistemit zgjedhor, edhe pse unë them që ne kemi një sistem zgjedhor tejet të ri. Të paktën dy dekada janë të mjaftueshme për të testuar një sistem zgjedhor”, shtoi numri dy i PS.