Balla inkurajon policinë: Vazhdoni kështu! Të vazhdojnë të kryejnë detyrën për respektimin e rregullave
Në një kohë që Tirana është kthyer në një shesh-beteje si pasojë e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ku prej orëve të para të ditës së sotme policia vijon terrorin e pandërprerë ndaj artistëve, qytetarëve dhe politikanëve të rreshtuar në mbrojtje të saj, numri 2 i Partisë Socialiste Taulant Balla gjen rastin për të inkurajuar policët që të vazhdojnë të kryejnë detyrën për respektimin e rregullave të qeverisë “Rama” në kuadër të pandemisë së koronavirusit.
Njoftimi i PS-së
400 kaska mbrojtëse dhe një sasi maskash i janë dhuruar Bashkisë së Elbasanit, në kuadër të një projekti të financuar nga Bashkimi Europian me projektet IPA.
Këto materiale mbrojtëse do të shkojnë për Policinë Bashkiake të Elbasanit dhe punonjësit e tjerë të sporteleve dhe të terrenit, të cilët janë në vijën e parë të shërbimit me qytetarët për të përballuar situatën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij pasi vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian në këtë situatë të vështirë, bëri apel për kujdes dhe mosneglizhim të masave mbrojtëse.
“Bashkimi Europian i ka qëndruar pranë Ballkanit Perëndimor në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga COVID-19.
Me mjetet e shtuara mbrojtëse po pajisen sidomos punonjësit që gjatë gjithë kohës janë në kontakt me komunitetin, duke nisur nga mjekët e më pas me punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake etj.
Sa më të sigurtë të jenë punonjësit që janë në vijën e parë të frontit aq më të sigurtë janë qytetarët, ndaj dhe ky projekt merr vlerë të veçantë.
Punonjësit e Policisë Bashkiake së bashku me Policinë e Shtetit duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën për respektimin e rregullave, ndërsa mbrojtja e tyre është thelbësore, për të mbrojtur ata vetë, por edhe të mos bëhen përçues të virusit.
Përsa i përket mbështetjes së Bashkimit Europian, Samiti i Zagrebit ishte shprehja më e qartë e vëmendjes dhe angazhimit konkret ndaj Ballkanit Perëndimor.
Një apel kam për qytetarët shqiptarë: Edhe pse kemi kaluar pjesën më të madhe të luftës, çdo lloj pakujdesie apo humbje e gatishmërisë mund të na kushtojë shumë”, deklaroi Balla.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja në fjalën e tij u shpreh se puna në terren në ndihmë të qytetarëve do të vijojë ndërsa masat mbrojtëse për punonjësit e vijës së parë janë të domosdoshme.
“Punonjësit e Policisë Bashkiake në Elbasan kanë qenë në ftont të parë që në fillim të pandemisë në mënyrë që të mos kishim përhapje në masë të virusit. Këto masa të shtuara mbrojtëse janë të domosdoshme, jo vetëm për punonjësit e Policisë Bashkiake, por dhe punonjësit e sporteleve të cilët do t’i rikthehen shërbimit të plotë.”, tha Llatja.
Këto materiale mbrojtëse janë prodhuar nga disa organizata joqeveritare në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19.