Balla inspekton rikonstruksionin e rrugës “8 Marsi” në Elbasan: Brenda vitit rruga do të jetë gati

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektuan punimet që po kryhen për rikonstruksionin e rrugës “8 Marsi” në lagjen “Visarion Xhuvani” në Elbasan.

Në fjalën e tij Balla tha se investimi ishte i domosdoshëm dhe i kërkuar shumë herë nga banorët, për shkak të kushteve në të cilat ndodhej rruga, në të cilën prej një kohe të gjatë nuk ishte vënë dorë.

“Lagja “Visarion Xhuvani” është një prej lagjeve të vjetra të Elbasanit ku prej shumë vitesh nuk ishte investuar. Elbasani është kthyer në një kantier të rëndësishëm ndërtimi ku po punohet, jo vetëm për urbanizimin e plotë, në të gjitha nivelet, kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, rrjetin e energjisë etj.
Rruga “8 Marsi” ka qenë një prej angazhimeve tona, banorët na e kanë kërkuar shpesh këtë investim dhe tashmë jemi me fjalën e mbajtur, brenda Vitit të Ri rruga do të jetë gati, brenda të gjitha standardeve” deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku Llatja në fjalën e tij e vuri theksin tek cilësia e punimeve, duke theksuar se një investim cilësor është një investim afatgjatë dhe i qëndrueshëm.

“Jemi duke punuar dita ditës në shumë projekte të tilla. E rëndësishme për ne është ta monitorojmë cilësinë e punimeve, që është kriteri kryesor. Duhet të kemi punime cilësore dhe jetëgjata, që të tilla projekte për mos rihapen për shumë kohë”, tha Llatja.

Rruga përshkon një prej lagjeve më të vjetra të Elbasanit e cila tashmë është e kompletuar në investime. Në të gjithë qytetin e Elbasanit po punohet njëkohësisht në disa kantiere ndërtimi duke u dhënë rëndësi kryesisht zonave periferike.

SHKARKO APP