Balla mbledh strukturat e PS-së në Belsh: Të reflektojmë ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Në kuadër të takimeve organizative dhe parapërgatitore për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste të Belshit.
Në fjalën e tij Balla tha se hapja e listave tashmë është një fakt dhe se humbësit duhet të heqin dorë nga ndërtimi i alibive, duke u fshehur pas akuzave dhe bllofeve.
“Hapja e listave tashmë është një fakt dhe nuk ka më kohë për të humbur, për të votuar Kodin Zgjedhor. Humbësit përsëritës duhet të heqin dorë nga ndërtimi i alibive, duke u fshehur pas akuzave dhe bllofeve. Ne jemi gati ta diskutojme propozimin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe brenda pak javësh duhet të kemi miratuar reflektimin në Kod të ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Balla.
Sipas Ballës ndryshimet e propozuara janë të bazuara në modelet e Austrisë, Belgjikës, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë etj.
“Lista e kandidatëve të subjektit zgjedhor do të jetë 100% e hapur. Çdo kandidat në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Propozimi ynë ruan plotësisht edhe pragun e përfaqësimit gjinor. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale”, tha Balla.