Balla në Kavajë: Çdo pallat do të ketë një çertifikim nga ekspertë vendas dhe të huaj
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali inspektoi sot nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.
Balla u takua me banorët e prekur nga lëkundjet e forta të tërmetit, ndërsa i garantoi ata se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë për rikuperimin sa më të shpejtë të dëmeve.
“Ky është një vlerësim paraprak që po bën bashkia me inxhinierët dhe ekspertët më të mirë që ka Kavaja. Ndërkohë që do kemi edhe ekspertë, vlerësues të huaj.
Besoj që jeni të informuar që po vijnë ekspertë edhe nga SHBA, vende të tjera të BE-së dhe Gjermania.
Për çdo pallat do të ketë një çertifikim nga inxhinierë dhe ekspertë jo vetëm vendas, por edhe të huaj. Të jeni të sigurtë që nuk do hyhet në një pallat që nuk është i çertifikuar dhe protokolli i ndërhyrjes për riparim. Por ajo që unë dua t’ju them bashkë me kreun e bashkisë është se ne kemi marrë garancinë nga të gjitha këto hotelet që këtu i keni hapur si ‘Fafa’ është hapur “Prestige Resort”, të cilët dua t’i falënderoj pronarët e tyre që kanë treguar gatishmërinë e tyre për të sistemuar deri sa të mbyllim me inxhinierët protokollin e vlerësimit paraprak të dëmeve. Pra sa e përballon dhe çfarë ndërhyrje do të duhet të bëhet. Unë do tju kërkoja të rrini në hotel. Tani unë e di që shpirti nga shpia s’na ndahet se është gjithë investimi i jetës, por gjithësesi siguria e jetës është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ajo që pamë dhe përjetuam këto ditë me 50 jetë të humbura, është diçka që duhet të jetë edhe në mendjet tuaja që nuk duhet me rrezikuar në këto ndërtesa që kanë paraqitur dëmtime. Numri i ndërtesa edhe këtu në Kavajë nuk është i vogël, po duke e krahasouar me Durrësin, nuk mund të krahasohet me Thumanën, as me Lezhën. Duhet thënë edhe në Lezhë dëmtimet janë më të mëdha dhe më të parikuperueshme në disa prej tyre. Ndërkohë që këtu do i vlerësojmë një për një”, u deklaroi Balla.