Balla në Palermo: Droga po copëton shoqërinë tonë, po krijon terren për krimin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndodhet në Palermo për të marrë pjesë në Ministerialin mbi 20 vjetorin e Konventës së Palermos, i organizuar nga qeveria italiane për të diskutuar mbi bashkëpunimin midis shteteve në luftën kundër aktiviteteve kriminale transnacionale.

Ai citoi ish-sekretarin e Përgjithshëm të OKB, për të theksuar domosdoshmërinë e nevojën për bashkëpunimin, të agjencive ligjzbatuese mes shteteve. “Ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan ka thënë se “Nëse krimi i kalon kufijtë, edhe zbatimi i ligjit duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë. Nëse shteti i së drejtës cenohet jo vetëm në një vend, por në shumë vende, atëherë ata që e mbrojnë atë nuk mund të kufizohen vetëm në mjete kombëtare”, u shpreh Balla.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri Balla u ndal në rreziqet që paraqet fenomeni i përdorimit të substancave narkotike, drogave, për mbarë shoqërinë njerëzore, sidomos për brezat e rinj, për të ardhmen e tyre.

“Droga po copëton shoqërinë tonë, po krijon terren për krimin dhe po shkatërron rininë dhe të ardhmen tonë. Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimit të drogës, po ashtu edhe Shqipëria po përballet me të. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballemi në të ardhmen e afërt, e cila u ngrit nga Sekretari amerikan Blinken në fjalën e tij për Nisjen e Koalicionit Global për trajtimin e drogave sintetike”, tha Balla.

Një çështje tjetër që trajtoi ministri Balla, ishte ajo e reagimit që duhet të ketë shteti dhe shoqëria ndaj personave që guxojnë të ngrenë dorë ndaj një punonjësi policie në detyrë dhe me uniformë. Ai e ilustroi këtë me një ngjarje të rëndë, të ndodhur para pak ditësh në Kosovë, ku persona të armatosur, qëlluan me armë zjarri ndaj një patrulle policie të Kosovës, duke vrarë një polic, dhe plagosur një tjetër.

“Pak ditë më parë kriminelë të armatosur rëndë guxuan të ngrenë dorë dhe t’i marrin jetën një oficeri të forcave të rendit të Republikës së Kosovës. Por sinjali më i keq që mund t’i jepet luftës kundër kriminalitetit, natyrshëm edhe tek i gjithë komuniteti ndërkombëtar, ishte zija shtetërore e shpallur zyrtarisht në Serbi, një vend fqinj me Kosovën për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e Policisë së Republikës së Kosovës, në një reagim tepër profesional, pas vrasjes së kolegut të tyre. Në cilin vend në botë, Policia e Shtetit nuk duhet të reagojë dhe godasë cilindo që guxon të qarkullojë i armatosur, më rëndë akoma të qëllojë mbi policinë?! Është shumë e rëndësishme që autorët dhe organizatorët e atij sulmi të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë”, u shpreh Balla.

SHKARKO APP