Balla në Selanik: Shoqatat shqiptare po ruajnë rrënjët tona
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Disporën, zhvilloi një takim me drejtuesit e shoqatave shqiptare që veprojnë në Selanik, Greqi.
Diskutimet u përqendruan në disa çështje kyçe që prekin komunitetin shqiptar në këtë vend, duke përfshirë mësimdhënien në gjuhën shqipe, nevojën për një qendër kulturore, dhe problematikat lidhur me dokumentacionin e qëndrimit dhe njohjen e pensioneve. Balla theksoi rëndësinë e rolit të diasporës shqiptare në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, duke vënë në dukje se shoqatat kanë ndihmuar në integrimin e bashkëkombasve dhe përforcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Shoqatat dhe diaspora shqiptare në Greqi kanë luajtur një rol kyç për të ndihmuar bashkëkombasit të integrohen, duke ruajtur njëkohësisht kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar. Ju përfaqësoni jo vetëm organizata, por mbi të gjitha përfaqësoni rrënjët tona, identitetin tonë dhe lidhjet që kemi ndërtuar ndër vite. Angazhimi juaj i përditshëm dhe përkushtimi i pakursyer janë një shembull për të gjithë ne”, u shpreh ai.